Të dhënat e Cens 2023 treguan se në vendin tonë ka një numër të lartë beqarësh midis grupmoshës 25 deri në 59 vjec.
Në të gjithë vendin numërohen 213,232 meshkuj beqarë ndërkohë numri i femrave beqare në grupmoshën në shqyrtim është më i ulët, në mbi 129 mijë. Në total, në Shqipëri ka 343 mijë beqarë nga mosha 25-59 vjeç.
Tranzicioni demografik që ka vijuar në tre dekadat e fundit, ka krijuar emigracion të lartë të lëvizjeve të brendshme dhe rënie të lindjeve. Kjo ka bërë që të ketë zhvendosje të vendbanimeve dhe qasje të ndryshme për jetën midis femrave dhe meshkujve.
Gjithnjë e më shumë meshkujt i drejtohen emigracionit dhe nuk zgjedhin arsimin dhe zanatet, ndërkohë femrat preferojnë të shkollohen. Rritja e disbalancave në arsim i pengon shumë meshkuj të gjejnë partneren e jetës dhe kjo vjen edhe për femrat beqare të cilat synojnë gjithnjë e më shumë të rriten në karrierë, duke vënë mos vënë në plan të parë krijimin e familjes.
Ndërkohë ajo që vlen të përmendim është se tekonologjia ka ndikuar shumë se si njerëzit krijojnë marrëdhënie romantike, por edhe sociale.
Shumë njerëz i drejtohen aplikacioneve online, si një formë për të njohur dikë. Një prej tyre është Tinder, që numëron rreth 100 mijë shqiptarë, ku pjesa më e madhe janë meshkuj.
Pjesa më e madhe e përdoruesve të Tinder i përkasin grupmoshës 25-34 vjeç, duke përbërë 43.4% të totalit. Pas tyre vijnë të rinjtë nga 18-24 vjeç, që zënë 35.3%.
Përvec Tinder, ka edhe shumë aplikacione të tjera që kudo në botë përdoren për takime, për njohje të reja. Ashtu si dhe në rrjete sociale, Facebook dhe Instagram, ku vetëm përmes një “like” mund të krijoni lidhje me njerëz të rinj, pa pasur nevojë për takime fizike apo mundësi të tjera tradicionale.
Duhet thënë po ashtu që shpesh këto njohje mund të kthehen të rrezikshme, pasi personi që është përballë ekranit mund të jetë dikush që mund që përfitojë nga ju.
Edhe shumë personazhe të njohura kanë gjetur dashurinë në rrjetet sociale si Priyanka Chopra dhe Nick Jonas, Joe Jonas dhe Sophie Turner, apo Taylor Goldsmith dhe Mandy Moore.
Jemi në vitin 2025 dhe duhet të themi se teknologjia po ndryshon marrëdhëniet romantike. Ndërsa aplikacionet për takime dhe rrjetet sociale ofrojnë mundësi të reja për njohje dhe lidhje, ato gjithashtu sjellin sfida të ndryshme.
Dhe lind pyetja. A janë këto ndryshime një hap përpara, apo një shkëputje nga traditat dhe mënyrat më të natyrshme të njohjes?