Dashnor Sula merr detyrën si Kryeinspektor: Me Ramën nuk jemi parë kurrë si armiq

Ish-deputeti demokrat Dashnor Sula u prezantua sot në detyrën e re të Kryeinspektorit të Përgjithshëm.

Në krah të Ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u shpreh se do të bashkëpunojë ngushtë me ministren dhe kryeministrin Rama në detyrën e re. 

Ish-deputeti i PD, Sula tha se me kryeministrin Rama nuk e kanë parë asnjë herë njëri-tjetrin si armiq, por kanë punuar për të çuar përpara vendin.

Gjej rastin në këtë moment sinqerisht, pavarësisht se me zonjën ministre dhe ish-kolegen Gjylameti dhe kryeministrin Rama kemi qenë përballë njëri-tjetrit, sepse kështu funksionon demokracia, kurrë nuk e kemi parë njëri-tjetrin si armiq, por për të punuar dhe për çuar diçka më para për Shqipërinë. Për mua kjo është një sfidë dhe një ‘dorashkë e hedhur’ nga kryeministri për të përmbushur këtë detyrë. S’është privilegj, është përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe”, tha ai.

Sula merr detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, një pozicion ky që është mbajtur për shumë vite nga Shkëlqim Hajdari. Ky i fundit është emëruar Prefekt i Tiranës.