Çmimi i arit në nivele rekord, ekspertët parashikojnë rritje të fortë deri në fund të vitit

Çmimi i arit po rritet në nivele të panjohura më parë. Në fillim të vitit 2023, ari ishte në nivelin e 2000 dollarëve për oz (28,3495 gramë), duke mbajtur atë vlerë për më shumë se një vit.

Në janar të vitit 2024, çmimi i arit shkoi në 2.040 dollarë për oz, por gjatë javëve të fundit ka shkuar deri në 2.390 dollarë, duke shënuar një rritje vjetore prej rreth 20%.

Rritja e inflacionit në vitet e fundit dhe besimi se vlera e tij nuk do të bjerë ndonjëherë ka ndihmuar në rritjen e çmimit të arit. Ngjarjet e mëparshme me luhatje të forta në çmime kanë kontribuar në këtë rritje.

Po ashtu, tensionet gjeopolitike në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme kanë shtuar kërkesën për metalin e verdhë.

Nivelet e reja historike të çmimit të arit shqetësojnë disa analistë, të cilët besojnë se tensionet gjeopolitike dhe të dhënat makroekonomike nuk mund të justifikojnë një rritje kaq të madhe.

Analistët e JP Morgan parashikojnë një çmim deri në 2.500 dollarë për uz në 12 muajt e ardhshëm, ndërsa ka edhe banka të tjera, si Citibank, që e shohin çmimin e arit në 3.000 dollarë. Rritja e kërkesës nga bankat qendrore mund të shpjegojë në një masë të madhe rritjen e çmimit të metalit të verdhë.

Blerjet e arit nga bankat qendrore kanë arritur nivele rekord në vitet e fundit, pasi institucionet financiare kërkojnë të diversifikojnë zotërimet e tyre dhe të reduktojnë rreziqet e kreditit. Kina dhe Rusia janë blerësit kryesorë, të ndjekura nga India, Turqia dhe Brazili.