Belinda Balluku është një nga ministret më të pushtetshme të kabinetit qeveritar të Ramës, por edhe një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit.
Ajo ka qenë bashkëpunëtorja e Edi Ramës prej vitit 2004, kur iu bashkua stafit të Bashkisë së Tiranës me kryebashkiak pikërisht Ramën, fillimisht si Këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun dhe më vonë si Drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë.
Në vitin 2013, kur Partia Socialiste mori në dorë qeverisjen e vendit dhe Rama u zgjodh për herë të parë kryeministër, e vendosi Ballukun në një post shumë të rëndësishëm, si Drejtoreshë e Përgjithshme e ALBCONTROL Sh.A.
Më vonë, në vitin 2019, Balluku do të zëvendësonte Damian Gjiknurin dhe do të merrte një nga ministritë më të rëndësishme në vend, atë të Infrastrukturës dhe Energjisë. Prej 4 vitesh ajo qëndron në këtë post, ndërkohë që prej 22 Korrikut 2022 është edhe zv.kryeministre e Shqipërisë, duke konfirmuar besimin e madh që Rama ka patur tek ajo.
Por shtatori erdhi përsëri, dhe ashtu si çdo vit, pritet që Edi Rama të bëjë ndryshime në kabinetin qeveritar. Arrestimi i disa prej njerëzve më të besuar ndër vite ka ulur ndjeshëm besimin te qeveria, ndaj edhe kryeministrit i duhet të gjejë figura të pastra për t’i besuar ministritë.
Prej muajsh është përfolur për zëvendësimin e disa ministreve që janë përfshirë në skandale, si Olta Xhaçka, Delina Ibrahimaj dhe Frida Krifca, por surpriza mund të jetë emri i Belinda Ballukut. Burime për Ditar.al bëjnë me dije se Rama po e mendon seriozisht largimin nga qeveria të një nga njerëzve të tij më të besuar.
Largimi i saj mund të jetë surprizë, por jo i pajustifikuar. Balluku është një nga ministret më të akuzuara nga qeveria, për abuzime me tenderat dhe korrupsion. Shitja e energjisë elektrike me çmim shumë të ulët dhe blerja me çmim të lartë, milionat e eurove për shtrimin e rrugëve që s’përfunduan kurrë dhe rritja e cmimeve të karburanteve janë disa nga skandalet që kanë si personazh kryesor Belinda Ballukun.
Edhe vizita e fundit e Ramës në Durrës për të folur për investimin miliarda euro të Alabaar në Portin e Durrësit u bë pa praninë e Belinda Ballukut, që deri pak kohë më parë kishte marrë përgjegjësinë për ta mbikqyrur personalisht këtë projekt.
Asambleja e Partisë Socialiste do të mblidhet nesër, me Ramën që mund të njoftojë edhe ndryshimet në kabinetin qeveritar. Në të kundërt, do të jetë Kongresi i PS-së në fund të shtatorit që do të sjellë këto ndryshime, të vonuara por të domosdoshme.