Policia e Vlorës ka dalë me një njoftim zyrtarë në lidhje me një konflikt të ndodhur mesditën e sotme mes punonjësve të INUV dhe tre qytetarëve.
Këta të fundit, kanë kundërshtuar ndërhyrjen e INUV-it në biznesin e tyre ku bëhej fjalë për prishjen e tendave, duke dhunuar fizikisht drejtorin e më pas inspektorin përgjegjës që e shoqëronte.
Drisild Dalipaj, Irfan Dalipaj dhe Ilfabio Dalipaj po ashtu janë përplasur fizikisht dhe me dy efektivë të policisë rrugore, të cilët kanë ndërhyrë për të neutralizuar situatën.
Gjatë ndërhyrjes dhe në përpjekje për të ndalur sulmin fizik, njëri prej punonjësve ka përdorur armën e shërbimit duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime.
Ndërkohë dy punonjësit e policisë për shkak të dhunës nga tre shtetasit kanë marrë dëmtime dhe ndodhen në spital.
Në vendngjarje është ngritur grupi hetimor, i përbërë nga OPGJ i Prokurorisë dhe AMP, të cilët po vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Vlorë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 12:20, shërbimet e Policisë janë njoftuar se në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Nartës ka ndodhur një konflikt ndërmjet punonjësve të INUV dhe shtetasve I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe F. D., 23 vjeç. Në afërsi të konfliktit kanë qenë duke kryer shërbim të planizuar dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe janë goditur fizikisht nga tre shtetasit e sipërpërmendur.
Gjatë ndërhyrjes dhe në përpjekje për të ndalur sulmin fizik, njëri prej punonjësve ka përdorur armën e shërbimit duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime.
Si pasojë e dëmtimeve fizike të shkaktuara nga goditjet e tre shtetasve, dy punonjësit e Policisë janë dërguar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje është ngritur grupi hetimor, i përbërë nga OPGJ i Prokurorisë dhe AMP, të cilët po vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.