Çfarë do diskutojnë? Rama thërret në Kryeministri Peleshin, Ballën dhe krerët e komisioneve parlamentare

Kjo e mërkurë ka rezultuar në një ditë të ngarkuar me kryeministrin Edi Rama. Pas konferencës me ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, Rama ka mbledhur në Kryeministri kreun e Kuvendit, Niko Peleshi, kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, si dhe krerët e komisioneve parlamentare të Partisë Socialiste.

Nuk dihen ende arsyet e këtij takimi të papritur të thirrur nga Rama, por duhet thënë se vjen pas zhvillimeve në kampin socialist, ku zv.kryeministrja, Belinda Ballku është marrë e pandehur nga SPAK lidhur me tenderin e tunelit të Llogarasë.

Përveç Ballukut, të pandehur janë marrë edhe 5 vartës së saj, mes tyre ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi dhe kreu aktual i ARRSH-së, Gentjan Gjyli. Për çështjen e Ballukut nuk ka patur ende një reagim nga kryeministri Edi Rama, apo socialistët e tjerë, të cilët kanë thënë se nuk komentojnë çështjet e drejtësisë.  

Takimi vjen një ditë para zhvillimit të seancës plenare, ndërsa nuk dihet se çfarë porosish do t’u japë Rama.