Nga Gabriel Elefteriu “Brussels Signal”
Ndërsa votuesit anembanë BE-së po i drejtohen drejt qendrave të votimit për të zgjedhur deputetët e tyre në Parlamentin Evropian, ka të ngjarë që çështjet më të rëndësishme në mendjen e tyre, të jenë ato që kanë të bëjnë me jetën e përditshme. Siç thotë edhe shprehja e vjetër, e gjithë politika është lokale.
Shumica e njerëzve priren të shqetësohen për pagat e tyre, taksat, gjendjen e shkollave dhe spitaleve të zonës ku banojnë, për krimin dhe korrupsionin, faturat e energjisë, çmimin e qumështit në dyqanin e lagjes dhe përbërjen e komuniteteve të tyre lokale, përpara se të ndjekin debatet më të sofistikuara rreth ideologjive të veçanta apo “politikave kombëtare”.
Është më se e qartë se Evropa është e rrethuar me probleme në çdo nivel, nga emigrimi tek”tranzicioni i energjisë”, nga inovacioni tek siguria, nga bujqësia tek politika sociale e kështu me radhë. Për të mos harruar mosfunksionimin politik, korrupsionin dhe deficitin demokratik që karakterizon vetë institucionet e Brukselit.
Por të gjitha këto gjëra, dhe sigurisht në mënyrën se si diskutohen zakonisht nga politikanët dhe ekspertët, duken shpesh shumë abstrakte për të vetmin person që ka rëndësi ditën e votimit:votuesin e zakonshëm. Megjithatë ka një përjashtim i rëndësishëm.
“Luftërat kulturore” të kohëve tona – të zhvilluara për çështjet e lirisë së fjalës, identitetit kombëtar dhe “gjinor”, “vlerave”, rolit të fesë në jetën publike, madje edhe kuptimit të vetë historisë, mund të krijojnë ura lokale bashkëpunimi kundër ndarjeve kombëtare në mendjen e publikut të gjerë.
Nga njëra anë, vetëm një segment relativisht i vogël – edhe pse i zëshëm – i popullsisë preket drejtpërdrejt nga këto çështje. Për shembull duke u gjobitur “gjuhën e urrejtjes” ose duke u gjetur veten në një “pakicë seksuale” (apo edhe racore) dhe për rrjedhojë ndihet “i shtypur”.
Nga ana tjetër, shqetësimet kulturore e sociale shpërndahen më lehtë, pasi ato i flasin më drejtpërdrejt emocioneve të njerëzve dhe ndjenjës intuitive të së drejtës dhe të gabuarës. Nëse paketohen dhe kanalizohen në mënyrën e duhur, ato mund të shndërrohen në një armë të fuqishme politike, për mirë apo keq qoftë.
Sepse tek e fundit, politika është lokale, dhe në përgjithësi votuesit priren që t’u japin përparësi interesave të tyre të menjëhershme personale mbi çështjet që u duken më abstrakte. Çështjet ndërkombëtare dhe strategjia globale, vështirë se do t’i nxitin të shkojnë të votojnë.
Para këtyre zgjedhjeve, askush bëri fushatë për atë që është padyshim pyetja më jetike për të ardhmen e Evropës në këtë moment: si të ruhet apo të rivendoset realisht roli dhe pozita e saj në botë. Sigurisht, ky një problem i vështirë intelektual, një çështje e vizioneve të mëdha, ndaj politikanët e kanë të vështirë ta trajtojnë edhe nëse përpiqen.
Por nga ana tjetër nuk kanë asnjë nxitje:strategjitë e mëdha nuk sjellin vota. Është e qartë se zgjedhjet për Parlamentit Evropian, ngritën çështje të nxehta si emigracioni, e ardhmja e Marrëveshjes së Gjelbër, të drejtat e komunitetit LGBT apo sovraniteti.
Vetëm disa parti, si AfD në Gjermani apo Fidesz në Hungari, i kanë kushtuar më shumë vëmendjes çështjes së luftës dhe paqes në lidhje me Ukrainën. Megjithëse është thelbësore në terma realë dhe nga një perspektivë e politikave, Ukraina nuk do të diktojë fatin e këtyre zgjedhjeve.
Kjo edhe sepse mbështetja për Kievin, është ende një propozim popullor mes evropianëve. “Ju mund të mos jeni të interesuar për luftën, por lufta është e interesuar për ju”-thuhet të ketë thënë dikur lideri bolshevik Leon Trocki. Edhe sot, çështjet më të larta evropiane, të cilat joshin pak votuesit në një fushatë zgjedhore, janë në fakt të një rëndësie vendimtare për jetën e tyre, veçanërisht në këtë moment ku gjenden çështjet botërore.
Pse? Sepse gjithçka që e bën ende Evropën rajonin e lirë më të pasur në botë, me standardet më të larta të jetesës dhe kulturën më të sofistikuar, ka të bëjë me ndikimin e saj gjeopolitik dhe fuqinë e saj. Ky është realiteti themelor i situatës ku gjendet sot Evropa dhe imperativi i fatit të saj.
Shumë shpesh, politikanët si dhe publiku i gjerë besojnë ose shpresojnë se zgjidhja e problemit të kufijve të hapur, mungesa e konkurrencës apo një bazë industriale evropiane në rënie – pra çështjet e politikave – janë “të gjitha” gjithçka që ka rëndësi, dhe se çdo gjë tjetër del jashtë radarit.
Fuqia dhe ndikimi i Evropës në skenën botërore, pozicioni i saj strategjik, do të ndjekë automatikisht këtë kurbë të supozuar ngjitëse, sapo “opozita” (sidomos partitë sfiduese të krahut të djathtë) të thajnë “kënetën” e Brukselit dhe të vendosin rregull në shtëpi. Por bota nuk pret që ju të zbatoni reformat tuaja.
Lidhja midis politikës së jashtme dhe asaj të brendshme, veçanërisht në shkallën e një blloku shumëkombësh si BE-ja, ka qenë gjithnjë e më e fortë dhe me pasoja në epokën e globalizimit. Ajo funksionon në të dyja mënyrat. Goditjet e jashtme – një luftë pranë nesh, ose një luftë tregtare me një vend të madh të largët – mund t’i shkaktojnë shumë dëme modelit ekonomik të rajonit.
Anasjelltas, strategjitë shtetërore, të zbatuara me mjeshtëri nga udhëheqës me aftësi të vërteta politike dhe parime të shëndosha, mund të ndikojnë shumë në formësimin e marrëdhënieve dhe mjedisin e jashtëm të Evropës në avantazhin e saj, si dhe për të kompensuar dobësitë e brendshme.
Asnjëra nga këto çështje nuk u diskutua, sado shkarazi, nga asnjëra palë. Establishmenti aktual i Brukselit - parti si Ripërtëritja, Partia Popullore Evropiane, të Gjelbrit apo Socialdemokratët – janë angazhuar në perspektivën e ruajtjes së status quo-së të “rendit ndërkombëtar të bazuar tek rregullat” në lidhje me rolin e Evropës në botë.
Ata nuk kanë dëshirë dhe as aftësi për të menduar jashtë kësaj skeme të vjetër. Dhe ata janë të burgosur të “vlerave” të tyre të vetëshpallura, prej nga e marrin legjitimitetin e tyre. Por ato janë projektuar për një epokë që tashmë ka ikur.
Nga ana tjetër, “opozita” e krahut të djathtë është e kufizuar nga gjendja e saj politike si sfidante, dhe i kushton vëmendjen kryesore lojës politike së brendshme. Ajo duhet t’i japë përparësi luftërave kulturore, Marrëveshjes së Gjelbër e kështu me radhë, çështjet shumë përçarëse ku mund të përdorin teknika populiste për të mobilizuar votuesit e tyre.
Pra, ato nuk priren që të kenë koncepte të mirë-zhvilluara për t’u marrë me sfidat e jashtme të Evropës. Shumë prej tyre, nuk kanë qenë ndonjëherë pjesë e qeverisë, ndaj u mungojnë aftësitë dhe përvoja brenda radhëve të tyre, për të krijuar një imazh në lidhje me çështjet e ndërtimit të shtetit.
Në këtë aspekt shumë të rëndësishëm të asaj që duhet të jetë oferta e tyre politike, politika ndërkombëtare dhe ajo e mbrojtjes, nuk është plotësisht e qartë se çfarë do të merrnim prej tyre, qoftë në aspektin e ideve apo kompetencës. Pikëpyetjet serioze që kanë pasoja mbi sigurinë kombëtare, nuk janë çështje të parëndësishme.
Është e vështirë që çelësat e këtyre fushave thelbësore dhe të ndjeshme, t’u dorëzohen partive që nuk kanë krijuar një kuadër të besueshëm ekspertësh dhe pozicione gjithëpërfshirëse të politikave për t’i trajtuar ato. Sigurisht, kjo ndoshta nuk do të ketë shumë rëndësi në këto zgjedhje, por është diçka që duhet pasur parasysh për të ardhmen.
Njerëzit mund të mos u kushtojnë me vetëdije shumë vëmendje këtyre gjërave në përgjithësi. Por qasja rreth kredencialeve të një partie kur flitet për çështjet e ndërtimit të shtetit dhe garantimit të sigurisë kombëtare, mund të bëjë diferencën në një garë me një rezultat shumë të ngushtë.