Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka folur për çështjen “Balluku”, të cilën qeveria e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese.
Ai tha se GJKKO nuk ka shkelur asnjë ligj me pezullimin e Ballukut, por Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme kanë të drejtë të pezullojnë edhe kryeministrin kur ai kapet në afera korruptive.
Madje sipas Kaprit, edhe kryeministri Rama mund të pezullohet për shkak se çështjet në të cilat është përfshirë Balluku janë të lidhura drejtpërdreht edhe me vetë kreun e qeverisë.
Kapri: Të marrësh një mandat nga njerëzit, nuk është një mandat për të vjedhur. Në momentin që vjedh qytetarët e vendit më të varfër të Europës, duhet të përballesh me drejtësinë. Nuk ka asnjë ndërhyrje në punët e ekzekutivit. Një ministër, edhe vetë kryeministri nuk duhet të vjedhë. Nëse kapet nga Prokuroria, sigurisht që Prokuroria ka detyrimin që të pezullojë edhe kryeministrin.
Gazetarja: Mund ta pezullojë kryeministrin?
Kapri: Këtë po presim! Fakti që vajtën te Balluku, që është paradhoma e Ramës, po presim për kryeministrin, se çështjet janë të lidhura. Ta pezullojnë nga detyra dhe më pas e zgjedh Parlamenti kryeministrin e ri.
Kapri tha se ai dhe partia që përfaqëson janë mbështetës pa kushte të SPAK, pasi ajo që kanë bërë deri më tani është historike, por pa shkuar te Rama, vështirë se në këtë vend do të ketë drejtësi.
“Unë dhe Partia Mundësia mbështesim pa kushte punën e SPAK, pasi ajo që kanë bërë është historike, sepse në 30 e ca vite nuk ishte dënuar asnjë zyrtar i lartë për korrupsion në vendin më të korruptuar të Europës.
Por duke parë çështjet, pa shkuar te Rama nuk mund të ketë drejtësi. Sepse e dimë që gjithçka që Balluku ka bërë, e ka bërë sepse është shtyrë nga Rama. Sigurisht që Rama do e mbrojë sa të mundet një bashkëpunëtore të vetën”, tha Kapri në News 24.