Është mbyllur pas katër orësh seanca në Gjykatën Kushtetuese, për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres, Belinda Balluku dhe ankimimit të bërë nga qeveria.
Gjatë seancës, e cila ishte publike, prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko parashtruan arsyet se përse masat e ndalimit ndaj Ballukut duhet të jenë në fuqi dhe ajo nuk mund të qëndrojë në detyrë.
Prokurorja Bejko tha se Balluku ka kryer vepër penale me natyrë të rëndë kriminale.
Sipas prokurores se SPAK, pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut e shohin të lidhur me pozicionin e saj si ministre dhe rrezikun e helmimit të provave.
“Në rastin konkret vepra penale që ne hetojmë konsiderohen krime të natyrës së rëndë, për shkak të rrezikshmërisë dhe subjekteve që kryejnë ato. Vepra penale që i është atribuuar të hetuarës përfshihet në konceptin e krimit të rëndë.
Jemi para situatës kur e hetuara ka kryer jo një, por disa fakte penale historike që përkthehen në veprën penale të parashikuar nga neni 258 të kodit penal disa herë”, sqaroi prokurorja e SPAK, Dorina Bejko.
Pezullimin nga detyra e shohim të lidhur me pozicionin e saj si ministre.
Ne, SPAK ato dy lloje masa shtrënguese i ka kërkuar në përputhje me rrethanat që kanë ekzistuar në atë moment. Në atë moment SPAK ka konkluduar se nëse e hetuara do vazhdonte të ushtronte detyrën do kryente vepra penale të të njëjtit lloj”, tha Prokurorja e SPAK.