Ditën e djeshme Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, për shkak se më parë duhet marrë një vendim mbi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij.
Ndërkohë, në një konferencë për mediat, Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha se do të jetë e pamundur që zgjedhjet në Tiranë të zhvillohen në 9 Nëntor, pavarësisht vendimit që do të marrë Gjykata Kushtetuese.
Kjo deklaratë e tij duket se i prish planet kryeministrit Rama dhe Partisë Socialiste, që kishin lajmëruar strukturat se pezullimi i dekretit nuk ndikonte në zgjedhjet e 9 Nëntorit.
Celibashi, deklaroi se procesi do të vijojë normalisht në 5 bashkitë e tjera: Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat.
“Vijon normalisht procesi i përgatitjeve për zgjedhjet në 5 bashkitë e tjera. Çdo veprim i KQZ i çdo natyre apo angazhimi tjetër që lidhjet me zgjedhjet në Tiranë është pezulluar ë ditën e djeshme. Pra në datën 9 nëntor është e siguritë që do të zhvillohen zgjedhjet në 5 bashkitë e tjera, Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat.
Në momentin që GJK pezullon atë pjesë të dekretit, është sikur ai dekret të mos ekzistojë përkohësisht për atë pjesë që ka urdhëruar GJK. Do të shkelnim Kushtetutën dhe Kodin zgjedhor nëse KQZ do vijonte me procesin përgatitor për zgjedhjet në Tiranë”, tha ai.
Gjykata Kushtetuese do të vendosë në 31 Tetor në lidhje me ankimimin e Veliajt, që e ka cilësuar si anti-kushtetues shkarkimin e tij nga Këshilli i Ministrave.