Shqipëria çeli negociatat për grup-kapitullin e parë, reagon Greqia: Bisedimet të përfshijnë të drejtat e minoritetit

Ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis ka reaguar lidhur me hapjen e grup-kapitullit të parë të negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në BE duke thënë se ky segment i bisedimeve, i cili ka të bëjë me të drejtat themelore dhe shtetin e së drejtës, duhet të përfshijë edhe të drejtat e pakicave, përfshirë minoritetin etnik grek, dhe në veçanti të drejtat e tyre pronësore.

Nga Luksemburgu, ku Shqipëria mbajti Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE, Gerapetritis vuri në dukje se ky është qëndrimi i përbashkët i 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. 

Ministri i jashtëm grek tha për gazetarët se Greqia do ta ndjekë nga afër këtë proces dhe do të ndërhyjë aty ku është e nevojshme.

“Sot është një moment historik në zhvillimin e kursit evropian të vendeve anëtare të Ballkanit Perëndimor. Një kurs që filloi 21 vjet më parë, me Greqinë si pioniere dhe udhëheqëse, me axhendën e Selanikut. Greqia ka mbajtur një qëndrim konstruktiv në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.

Qëndrimi ynë është se grupi i parë i kapitujve, i cili po hapet sot dhe ka të bëjë me të drejtat themelore dhe shtetin e së drejtës, duhet të përfshijë edhe të drejtat e pakicave, duke përfshirë edhe atë të pakicës etnike greke, dhe në veçanti të drejtat e tyre pronësore, tashmë një qëndrim i përbashkët, një qëndrim i përbashkët i regjistruar i 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian se shtetet e tjera anëtare të Ballkanit Perëndimor do të ndjekin këtë kurs në një kohë jashtëzakonisht të paqëndrueshme në rajonin tonë e më  gjerë, është absolutisht thelbësore që Bashkimi Evropian, familja evropiane, të thellohet, të rritet dhe të bëhet më e fortë”, theksoi ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis.