“Ciceroni shqiptar i Hitlerit” është titulli i librit më të ri të autorit Bashmir Xhemaj, i cili vjen si botim ekskluziv në Panairin e Librit në Tiranë.
Ky libër paraqet historinë e Iljaz Baznës, një shërbëtori të thjeshtë që punonte në Ambasadën Britanike, i cili vendosi të hynte në botën e spiunazhit.
Iljaz Bazna, i cili shumë shpejt u bë i njohur me nofkën Cicero për gjermanët, jo vetëm që hyri në këtë botë, por sot e kësaj dite mbeti njëri ndër spiunët më enigmatikë që kanë ekzistuar.
Ai arriti të zbulonte informacione mbi operacione shumë të rëndësishme në Luftën e Dytë Botërore, madje edhe për operacionin e famshëm D-Day, për të cilin Hitleri nuk i besoi.
Të gjithë lexuesit do të kenë mundësi nga sot në orën 14:00 e deri në përfundim të Panairit të Librit të takohen me autorin dhe të blejnë librin në Pallatin e Kongreseve.