Caktohet data, seanca paraprake për Metën dhe Kryemadhin në 25 shtator

Më datë 25 shtator, ora 11:00 do të mbahet seanca paraprake ndaj ish-presidentit te vendit, Ilir Meta, ish-deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, mamasë së kësaj të fundit, Fatime Kryemadhi, Ema Çokut dhe Pirro Xhixhos

Në seancë gjyqtarja Irena Gjoka, do të vendosë për të kaluar ose jo dosjen për gjykim.

Kujtojmë se në disa javë më parë SPAK mbylli zyrtarisht hetimet për atë që tashmë njihet si dosja “Meta”. Ndaj Metës dhe Kryemadhit rëndojnë akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Pjesë e kësaj dosje janë edhe Pirro Xhixho, i akuzuar për korrupsion, Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku, të dyja të akuzuara për pastrim parash.

Ilir Meta e ka cilësuar procesin ndaj tij farsë, ndërsa ka deklaruar se mezi po pret të përballet në gjyq.  Aktualisht, Meta vijon të mbahet në paraburgimin 313 në Tiranë, ndërsa u arrestua në tetor të 2024-ës.

Hetimet e SPAK zbuluan një sërë skemash korruptive, përdorimin e influencës dhe pushtetit politik të çiftit Meta-Kryemadhi me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, pastrim të produkteve të veprës penale, dhe fshehje të pasurive apo mosdeklarimi i shpenzimeve të konsiderueshme në deklaratat periodike të pasurive.