Prokuroria e Fierit arrestoi pak ditë më parë ish-nënkryetaren e Bashkisë së Fierit, Adela Hysenajn dhe disa drejtorë të këtij institucioni, pasi akuzohen se i kanë shkaktuar bashkisë një dëm prej 40 milionë lekësh, për mosvjeljen e taksës së parkimit nëntokësor që administron bashkia.
Adela Hysenaj ishte një nga njerëzit më të afërt të Armando Subashit, por ky i fundit u detyrua ta largonte nga Bashkia me urdhër të një prej njerëzve më të pushtetshëm të Partisë Socialiste, Belinda Ballukut.
Zv.kryeministrja u vendos në qarkun e Fierit për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 11 Majit, duke bërë edhe listën e kandidatëve, që e mbushi me njerëzit e saj të besuar si Ceno Klosi e Klevis Jahaj, të cilët arritën të merrnin mandatin e deputetit.
Burime të besuara i thanë Media Ditarit se gjatë vizitave në Fier përpara se të fillonte zyrtarisht fushata elektorale, Balluku ka patur një përplasje me kryebashkiakun Subashi, pasi ishte vënë në dijeni se vendimet e rëndësishme merreshin nga Adela Hysenaj dhe jo nga ai që ishte zgjedhur nga votat e qytetarëve.
“Ça burri je ti që të komandon kjo”, mësohet t’i ketë thënë Balluku – Subashit, me këtë të fundit që nuk ka mundur as t’i kthejë përgjigje.
Pas asaj vizite, ka ardhur edhe largimi i Adela Hysenajt nga detyra si nënkryetare bashkie, pasi as ajo e as Subashi nuk mund të thyenin urdhrin e Ballukut.
Kjo e fundit edhe në fushatën elektorale e përfshiu shumë pak kryebashkiakun e Fierit, si për të treguar se tashmë në atë qark drejtonte ajo, ndërkohë që pas vendimit të fundit të kryeministrit Rama, janë larguar të gjithë nënkryetarët dhe drejtorët e Bashkisë së Fierit.
Rreth 3 muaj nga largimi nga detyra, Adela Hysenaj tashmë është në “arrest shtëpie”, teksa mbi të rëndojnë akuzat “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.