Burgosja e Fredi Belerit dhe kërcënimi i Greqisë me integrimin e vendit, Rama takim informal me Mitsotakis

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai grek Kyriakos Mitsotakis mësohet se kanë pasur një takim informal gjatë ditëve të fundit. Ende nuk ka shumë detaje rreth takimit dhe nëse dy liderët kanë diskutuar për çështjen Beleri.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ndodhet në burg që prej datës 12 maj, i akuzuar për shitblerje votash.

Arrestimi i Belerit ka qenë një temë e “nxehtë” e drejtësisë shqiptare dhe marrëdhënieve mes dy vendeve, aq sa Athina zyrtare kërcënoi vendin tonë me integrimin në BE.

Pala greke kërkon që kryetari i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri të marrë detyrën, të respektohet e drejta e tij për një proces të drejtë dhe prezumimi i pafajësisë.

Por kryeministri Edi Rama në dalje dhe intervista të ndryshme është shprehur se kjo çështje i takon drejtësisë dhe jo qeverisë.

Rama thotë se Fredi Beleri duhet të përballet me drejtësinë, i pa veshur me pushtet deri në një vendim të formës së prerë ndaj tij.

Ndërkohë këto deklarata nuk e ndalën Greqinë. Më herët gjatë vitit 2023, Greqia refuzoi të nënshkruajë një letër të 27 vendeve anëtare drejtuar Komisionit Europian, që kërkon hapjen e pesë kapitujve të parë të negociatave për Shqipërinë.

Athina i ka bërë vazhdimisht thirrje Shqipërisë që ta lejojë Belerin të bëjë betimin, duke e cilësuar burgosjen e tij si të motivuar politikisht dhe etnikisht. Ndërkaq, qeveria shqiptare ka thënë se nuk mund të ndërhyjë në proceset gjyqësore dhe sistemi i drejtësisë duhet të ndjekë rrugën e tij.