Bukën do e blejmë më shtrenjtë? ERE jep “OK”, rritet çmimi i energjisë për furrat e bukës që nga 1 maji

Furrat e bukës që shërbejnë edhe si bar-kafe dhe si pastiçeri që prej muajit maj do të përballen me rritje të çmimit të energjisë.

Mësohet se Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar çmimet e reja të energjisë ku vetëm furrat do e blejnë energjinë me 7.6 lekë kilovati, kurse pastiçeritë me 9.5 lekë dhe ato që funksionojnë si bar kafe me 12 lekë kilovat orë.

Ka qenë OSHEE që kishte kërkuar rritje të çmimit të energjisë. Sipas arsyetimit të dhënë nga kreu i OSHEE-së, Enea Karakaçi, ka pasur abuzime nga kjo kategori biznesi dhe për këtë arsye duhej të bëhej një ndërhyrje në mënyrën sesi lloje të ndryshme furrash, do të kategorizohen dhe më pas faturohen.

Aktualisht të gjitha furrat në vend pavarësisht shërbimeve që ofronin si pastiçeri apo bar-kafe, energjinë e blinin me 7.6 lekë.

ERE thotë se miratimi i këtyre fashave është i justifikuar, pasi nuk mundet që një furrë që është kthyer në pastiçeri apo bar kafe të blej energjinë me çmimin prej 7.6 lekësh.

Ndërkohë teksa këto furra tashmë do të paguajnë më shumë për energjinë, pritet që efektet të bien drejtpërdrejt edhe te qytetarët, të cilat duket se do të përballen me çmime më të larta.