Gjykata e Lartë e Britanisë vendosi të mërkurën se vendimi për të dëbuar azilkërkuesit në Ruandë është i paligjshëm, duke i dhënë një goditje të madhe qeverisë konservatore, e cila e ka përshkruar prej kohësh planin si thelbësor në premtimin e saj për të ndaluar mbërritjet e emigrantëve me varka të vogla.
Gjykatësi Robert Reed, një nga pesë gjyqtarët që dëgjuan çështjen, tha se gjykata mbështeti një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Apelit që e shpallte politikën të paligjshme, duke thënë thjesht, “Ne pajtohemi me përfundimin e tyre”.
Gjykatësi Reed vuri në dukje rrezikun e “kthimit” nëse azilkërkuesit dërgoheshin në Ruandë, që do të thotë se refugjatët mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës dhe të përballen me dhunë të mundshme, në shkelje të ligjit të brendshëm dhe ndërkombëtar. Në seancën dëgjimore, Raza Husain, një avokat që përfaqëson 10 azilkërkues nga një numër zonash konflikti, argumentoi se sistemi i azilit të Ruandës ishte “mjerisht i mangët dhe i karakterizuar nga padrejtësi akute”.
Vendimi është pengesa më e fundit për kryeministrin Rishi Sunak pas disa ditësh të trazuara ku ai shkarkoi Sekretaren e tij të Brendshme, Suella Braverman, detyra e së cilës përfshinte mbikëqyrjen e imigracionit dhe solli përsëri në qeveri një paraardhës të qendrës, David Cameron.
Politika e ashpër e dërgimit të emigrantëve në Ruanda, u njoftua për herë të parë në prill 2022 nga kryeministri i atëhershëm Boris Johnson, ndërsa ai u përpoq të përmbushte një premtim të fushatës së Brexit për të “marrë kontrollin” e kufijve të vendit. Sunak premtoi të ndiqte këtë politikë në fushatën e tij për udhëheqjen e Partisë Konservatore dhe e mbrojti iniciativën së bashku me znj. Braverman, një nga kundërshtaret e mëdha të emigrantëve, e cila në Shqipëri njihet si zyrtarja që i quajti refugjatët shqiptarë “kriminelë”.
Sipas Sunak kërcënimi për t’u dëbuar në Ruanda do të pengonte dhjetëra mijëra njerëz që përpiqen të kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla, anije çdo vit.
Deri më sot, askush nuk është dërguar në kombin e vogël të Afrikës Lindore, për shkak të një sërë sfidash ligjore.