Brazili lëshon urdhërarrest për Ervin Matën, i kërkuar për drogë dhe organizatë kriminale

Gjykata e Lartë e Brazilit ka urdhëruar arrestimin paraprak të 38-vjeçarit Ervin Mata, i njohur edhe si një manjat shqiptar, i cili jeton në Brazil. CNN Brazil bën të ditur se urdhër-arresti u lëshua më 11 mars, por dekreti u publikua vetëm më 23 shtator.

Çështja po përpunohet në mënyrë konfidenciale në Gjykatën Federale Supreme (STF) si pjesë e një kërkese për ekstradim, ndërsa Ervin Mata nuk është arrestuar ende. Qeveria shqiptare ka paraqitur një kërkesë në gjykatat braziliane për ekstradimin e biznesmenit. Në vendin e huaj, ai akuzohet për trafik droge, pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe shoqatë kriminale.

Sipas qeverisë shqiptare, hetimet kanë mbledhur prova dhe tregojnë se biznesmeni koordinoi trafikimin e 240 kg kokainë në Frankfurt të Gjermanisë, në shtator 2020. CNN Brazil i referohet edhe deklaratave të publikuara në mediat shqiptare, sipas të cilave, Mata është në kërkim ndërkombëtar që nga nëntori i vitit 2023. Besohet se ai ka fituar 81 milionë lekë, nga trafiku i drogës.

I arratisuri dyshohet gjithashtu për organizimin dhe financimin e vrasjeve. Në vendim, Ministri Alexandre de Moraes deklaron se paraburgimi synon të sigurojë ekzekutimin e çdo urdhri ekstradimi.

“Dekretoj arrestimin paraprak të Ervin Mata, duke urdhëruar lëshimin e një urdhër-arresti, përmbushja e të cilit duhet t’i komunikohet menjëherë kësaj Gjykate Supreme, Ministrisë së Drejtësisë, Interpolit dhe përfaqësisë diplomatike të shtetit të interesuar”, urdhëron ministri.