Braktisja e vendit nuk e shqetëson qeverinë Rama, kërkon 20 mijë punëtorë në Filipine

Departamenti i Punonjësve Migratorë në Filipine ka njoftuar qytetarët e saj për mundësi të reja punësimi në Shqipëri dhe në Maltë.

Në njoftimin zyrtar të bërë në Filipine thuhet se Malta kërkon kujdestarë dhe staf tjetër për kuzhinë me rroga mujore, që variojnë nga 1 mijë deri në 3500 euro.

Ndërkaq Shqipëria ka kërkuar të punësojë rreth 20 mijë punonjës në sektorin e turizmit. Ky zhvillim i fundit tregon paradoksin e madh në vendin tonë.

Edhe pse nuk ka një konfirmim zyrtar nga Shqipëria për arritjen e kësaj marrëveshjeje, Departamenti i Punonjësve Migratorë në Filipine ka njoftuar qytetarë e saj për këto mundësi punësimi.

Qeveria filipinase ka konfirmuar se aplikimet e punës “qeveri me qeveri” do të procesohen direkt nga zyrat e departamentit të Migracionit, pa asnjë tarifë. Ndërsa aplikimet private duhet të bëhen vetëm përmes agjencive legale të listuar në faqen e tij zyrtare.

Ky veprim i qeverisë së Shqipërisë shkon përtej absurdit. Shqipëria rezulton si vendi me pagat më të ulëta në Evropë, ndërsa qytetarët e saj vazhdojnë dhe largohen duke kërkuar mundësi të tjera në Evopë e gjetkë.

Në vend që të merren masa për të mbyllur hendekun e largimeve masive, qeveria shqiptare duket se e ka zgjidhjen dhe ky fakt nuk e shqetëson aspak.

Ajo kërkon të “importojë” rreth 20 mijë punonjës në një kontinent tjetër.