Media Ditari iu drejtua Zyrës për Antikorripsion në Bashkimin Europian, OLAF pas lajmit se një letër e drejtorit të DG AGRI, Wolfgang Burtscher, njoftoi qeverinë shqiptare për pezullimin e fondeve për bujqësinë IPARD II.
Përmes një kërkese për informacion, Media Ditari kërkoi të dijë arsyen e ndërprerjes së fondeve, referuar letrës së z Burtscher, ku speficikohej se “Olaf ka evidentuar parregullsi dhe mangësi serioze në dhënien dhe zbatimin e projekteve të IPARD II në Shqipëri”.
Gjithashtu, Media Ditari u interesua nëse hetimi do të zgjerohej më tej me investigues në Tiranë.
Zëdhënësi i OLAF, Kirill Gelmi i tha Media Ditarit se në praktikën e punës së tyre, ata nuk mund të japin asnjë koment për një çështje që është ose mund të jetë në hetim në të ardhmen.
Sipas tij, OLAF nuk mund të japë asnjë të dhënë mbi çështjen shqiptare pasi kjo mund të cënojë konfidencialitetin e çdo hetimi dhe procedimi të mundshëm gjyqësor.
“Zakonisht, OLAF nuk jep komente për rastet që mund ose nuk mund të trajtojë. Kjo bëhet për të mbrojtur konfidencialitetin e çdo hetimi dhe procedimi të mundshëm gjyqësor që mund të pasojë, gjithashtu për të garantuar të dhënat personale dhe të drejtat procedurale”, tha Kirill Gelmi.
Në datën 14 Qershor, Qeveria shqiptare është njoftuar nga Komisioni Europian se janë pezulluar grantet për bujqësinë nga programi IPARD, pasi ka dyshime serioze për keqpërdorim të tyre referuar një hetimi të zyrës së OLAF. Letra zyrtare mbërriti në ministrinë e Bujqësisë, që drejtohet nga Frida Krifca.
Sipas praktikës në vende të tjera përfituese të Ballkanit Perëndimor, pezullimi i fondeve IPARD për dyshime të arsyeshme ka sjellë hetime të gjata dhe vonesa në lëvrimin e fondeve nga BE, ç’ka duket se kështu mund të rezultojë edhe me fondet e programuara për Shqipërinë.