Bllokimi i filetove me salmonelë, kreu i Urdhrit Veterinar: Në rrezik shëndeti i qytetarëve, SPAK të hetojë përgjegjësit

Presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli ka reaguar pas bllokimit në Portin e Durrësit të ngarkesës disa tonëshe me fileto pule që vinte nga Brazili, e dyshuar me salmonelë.

Me një reagim në rrjetin social, Resuli theskon se kjo është kriminale dhe duhet të merret në hetim nga ana e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ai thekson se Ministria e Bujqësisë ka tentuar që të fshehë ngjarjen. Presidenti i Urdhrit Veterinar akuzon edhe AKU, e cila sipas tij nuk mori asnjë masë për të ndaluar produktin dhe tërheqjen e tij nga tregu.

Ai thekson se ky nuk është vetëm një skandal, por një episod, i cili rrezikon shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Sipas Resulit, personat përgjegjës do duhet të japin llogari para organeve.

“Ky nuk është vetëm një skandal, është një kërcënim direkt për jetën e qytetarëve dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi! Ky shtet nuk mund të vazhdojë të heshtë ndërsa populli ushqehet me mish të infektuar, peshk me parazitë dhe fruta-perime të stërmbushura me pesticide”, shkruan ai.

Burime për mediat bëjnë me dije se është kompania “diMal” dhe kjo e fundit ka nxjerrë për konsumim 13.1 tonë fileto edhe pse iu urdhërua bllokimi nga ana e AKU.

Sakaq Prokuroria e Tiranës ka marrë në shqyrtim referimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për skandalin e mishit të pulës të importuar nga Brazili.

Reagimi i Ervin Resulit:

Ministria e Bujqësisë fsheh skandalin!

Mandarina me pesticide, peshku (açuket) me parazitë dhe së fundmi mishi i pulës me Salmonella Typhimurium! Ky është realiteti ku jeta e shqiptarëve vlen më pak se interesat e disa institucioneve të paafta, të kapura dhe që kanë dështuar spektakolarisht në misionin e tyre. Që nga muaji tetor e deri më sot, një seri skandalesh kanë shpërthyer, duke ekspozuar të vërtetën e hidhur: institucionet nuk janë të afta të diagnostikojnë në kohë, nuk marrin masa dhe kur përballen me prova të qarta, i fshehin rastet!

27 ton fileto pule nga Brazili kanë hyrë në Shqipëri më 11.03.2025. AKU ka marrë mostrat në doganë, por për një analizë që duhej të zgjaste maksimumi 72 orë, u deshën 10 ditë. Dhe ndërkohë, produkti u shpërnda në treg, u shit dhe u konsumua nga qytetarët në supermarkete, restorante dhe fast food-e. Laboratori ISUV, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë, ka publikuar përgjigjen më 21.03.2025, duke konfirmuar ngarkesë të lartë Salmonella jashtë normave të lejuara. Por AKU nuk mori asnjë masë të menjëhershme për të tërhequr produktin nga tregu, as nuk njoftoi qytetarët. Vetëm pas publikimit të skandalit nga mediat investigative si “Piranja”, nisi një farë reagimi, por deri më tani askush nuk ka treguar se cila kompani e ka hedhur në treg këtë mish të kontaminuar!

ISUV është kthyer në një institucion të dështuar, i cili ka humbur çdo lloj efektiviteti për qëllimin që është krijuar. Në vend që të jetë një entitet shkencor referencë për laboratorët shtetërorë dhe privatë, është bërë një strukturë tenderuese, ku kostoja e analizave për kampionet kalon edhe vlerat e sektorit privat! Madje, KLSH ka hapur një hetim për abuzimet e këtij institucioni, që në vend të shërbejë për sigurinë ushqimore të qytetarëve, është shndërruar në një makineri burokratike që vonon rezultatet dhe justifikon paaftësinë e Ministrisë së Bujqësisë.

Nga ana tjetër, AKU ka treguar edhe një herë paaftësinë dhe indiferencën totale. Për 10 ditë, ky institucion lejoi që pulat e infektuara të përfundonin në treg dhe vetëm kur skandali u bë publik, filluan të lëviznin. Në vend që të vepronte me urgjencë, AKU u mjaftua me një njoftim në prokurori, kur ndërkohë Prokuroria duhet të kishte marrë të pandehur drejtorët e AKU dhe ISUV, sepse këtu ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë! Në vend të një institucioni profesional që duhet të mbrojë shëndetin e qytetarëve, AKU është kthyer në një “autoshkollë drejtorësh”, ku emërimet bëhen për qoka politike dhe jo për meritokraci. Në vend që të garantojë sigurinë ushqimore, ky institucion është shndërruar në një mekanizëm që shërben vetëm për interesat e ministrit dhe jo për jetën e qytetarëve.

Fshehja e rastit nga Ministria e Bujqësisë, AKU dhe ISUV lë dyshime të forta se biznesit i është dhënë kohë për të shitur produktin dhe për të helmuar qytetarët me vetëdije të plotë. Ky nuk është më një rast neglizhence, por një veprim kriminal, që kërkon një hetim të thelluar nga SPAK, nga A deri në Zh! Sa raste të tjera janë fshehur? Sa herë qytetarët shqiptarë janë bërë kavie eksperimentale të një sistemi të kalbur që nuk kontrollon as ushqimin që importohet dhe as atë që prodhohet brenda vendit?

Ky nuk është vetëm një skandal, është një kërcënim direkt për jetën e qytetarëve dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi! Ky shtet nuk mund të vazhdojë të heshtë ndërsa populli ushqehet me mish të infektuar, peshk me parazitë dhe fruta-perime të stërmbushura me pesticide! Është koha që drejtësia të veprojë dhe të ndëshkojë ata që janë përgjegjës për këtë katastrofë! SPAK duhet të nisë hetimet urgjentisht, sepse ky është një krim kundër qytetarëve shqiptarë!