Çmimi i Bitcoin ka rënë në nivelin më të ulët të 16 muajve të fundit, pavarësisht mbështetjes personale dhe publike të presidentit amerikan Donald Trump për kriptovalutat.
Një Bitcoin zbriti deri në 60 mijë dollarë (rreth 44 mijë paund), niveli më i ulët që nga shtatori i vitit 2024, përpara se të rikuperohej lehtë.
Rënia vjen pas disa muajsh rritjeje të fortë të çmimit, kur Bitcoin arriti një rekord historik prej 122,200 dollarësh në tetor 2025.
Investitorët ishin inkurajuar nga përfshirja e drejtpërdrejtë e Trump në sektor dhe premtimet e tij për lehtësimin e legjislacionit mbi kriptovalutat.
Megjithatë, me rënien e fundit, çmimi i Bitcoin është 32% më i ulët krahasuar me një vit më parë, duke iu afruar niveleve të fillimit të viteve 2024 dhe 2021.
Bitcoin mbetet kriptovaluta më e madhe dhe më e njohur në botë, një formë parash digjitale që nuk kontrollohet nga asnjë institucion financiar qendror.
Sipas Autoritetit të Sjelljes Financiare të Britanisë (FCA), rreth 8% e të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar investuan në kripto në vitin 2025, një rënie prej 4% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, shuma mesatare e investuar është rritur, me një në pesë investitorë që mbanin midis 1,000 dhe 5,000 paund në kriptovaluta.
Një nga veprimet e para të Trump pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025 ishte nënshkrimi i një urdhri ekzekutiv për ta kthyer SHBA-në në “kryeqytetin global të kriptovalutave”.
Gjatë vitit të parë në detyrë, Trump lançoi edhe një kriptovalutë personale, nga e cila pjesa më e madhe e fitimeve përfundoi në kompanitë e tij, si dhe vijoi përfshirjen në “World Liberty Financial”, një mjet investimi kripto në pronësi të familjes Trump.
Administrata Trump ka miratuar ligje për mbështetjen federale të kriptovalutave, ka shpërbërë një njësi të Departamentit të Drejtësisë për mbikëqyrjen e tregut kripto dhe Komisioni i Letrave me Vlerë (SEC) ka hequr dorë nga disa hetime dhe masa ndëshkuese ndaj sektorit.
Demokratët në Komisionin Gjyqësor të Senatit kanë kritikuar agjendën “pro-kripto” të Trump, duke theksuar se presidenti ka grumbulluar asete kripto me vlerë mbi 11 miliardë dollarë dhe ka përfituar rreth 800 milionë dollarë të ardhura personale nga transaksionet që nga marrja e detyrës.
Pse po bie vlera e Bitcoin?
Analistët e Deutsche Bank thanë se rënia e fundit u nxit nga emërimi i Kevin Warsh si kryetar i ri i Rezervës Federale, i cili pritet të ndjekë një politikë më “të ashpër” monetare, duke mbajtur normat e interesit të larta, një faktor që zakonisht dëmton asetet me rrezik të lartë si kriptovalutat.
Sipas bankës, Bitcoin ka qenë në rënie prej katër muajsh dhe po rritet pesimizmi i përgjithshëm ndaj tregut kripto.
“Ky presion i vazhdueshëm shitjeje tregon se investitorët tradicionalë po humbasin interesin dhe se po rritet skepticizmi ndaj kriptovalutave,” thuhet në analizë.
Deutsche Bank nuk pret zhdukjen e kriptovalutave, por as rikthimin e shpejtë të Bitcoin në nivelet rekord të nxitura nga Trump, duke theksuar se ai po kalon nga një aset thjesht spekulativ në një fazë ku duhet të gjejë rolin e tij real në treg.
Ndërkohë, edhe kriptovaluta të tjera si Ethereum dhe Solana kanë pësuar rënie rreth 37% gjatë vitit 2026.
Sipas CoinGecko, tregu i kriptovalutave ka humbur mbi 1 trilion dollarë në një muaj dhe rreth 2 trilionë dollarë që nga kulmi i tij në tetor.
Firma amerikane Stifel paralajmëron se çmimi i Bitcoin mund të bjerë deri në 38 mijë dollarë, duke theksuar se kriptovaluta po ndjek gjithnjë e më shumë lëvizjet e dollarit amerikan, i cili javën e kaluar ra në nivelin më të ulët të katër viteve të fundit.