Paguaj 5 euro që të hysh në Venecia. Qyteti historik ka nisur një skemë të re në përpjekje për të ulur numrin e vizitorëve ditorë të cilët janë të shumtë në numër.
Vizitorët që hyjnë në qytetin që është pjesë e trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO, duhet të blejnë një biletë prej pesë eurosh, ose në të kundërt rrezikojnë të gjobiten deri në 300 euro.
Sipas sistemit testues, të ashtuquajturat bileta të Aksesit do të kërkohen vetëm në 29 ditë të ngarkuara gjatë gjithë vitit 2024, kryesisht në fundjavë nga maji në korrik, me synimin për të bindur udhëtarët ditorë që ta vizitojnë në kohë më të qeta një prej qyteteve më të bukura në botë.
Venecia, e njohur për kanalet dhe atraksionet kulturore, është kërcënuar prej kohësh nga përmbytjet dhe turizmi masiv. Më herët një raport i UNESCO-s ka bërë të ditur se autoritetet italiane kanë pasur mungesë të vizionit strategjik për të zgjidhur problemet me të cilat përballet një nga qytetet më piktoreske të Italisë.
Venecia, e shtrirë në më shumë se 100 ishuj të vegjël në Italinë verilindore, u klasifikua nga UNESCO si një sit i Trashëgimisë Botërore në 1987. Por numri i njerëzve që kërkojnë të shohin atë që organi kulturor i OKB-së e quan një “kryevepër të jashtëzakonshme arkitekturore” konsiderohet gjerësisht si i paqëndrueshëm.
Në kohën e pikut, 100,000 vizitorë qëndrojnë në një natë në qendrën historike të Venecias, dyfishi i popullsisë së përhershme të qytetit prej vetëm 50,000 banorësh. Dhjetëra mijëra të tjerë derdhen në rrugët e ngushta të qytetit gjatë ditës, shpesh nëpër gondola dhe varka në kanale, për të parë qytetin, përfshirë edhe Sheshin e Shën Markut dhe Urën e Rialtos.