Berisha sulmon Taulant Ballën: Grupin e partisë së krimit e kryeson njeriu që ka porositur vrasje

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka sulmuar sot Taulant Ballën, i cili do të jetë kreu i ri i grupit parlamentar të PS, pasi u konfirmua nga kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së Asamblesë socialiste.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, Berisha e etiketoi Ballën si një njeri të lidhur me krimin në vend. Sipas kryedemokratit, grupin e partisë së krimit e kryeson njeriu që ka porositur vrasje dhe që ka liruar kriminelët nga komisariatet.

“Një ushtar i vërtetë i Suel Çelës. Njeriu që me Marion, vëllain e Suel Çelës, përcakton sipas dokumenteve zyrtare, numrin e votave që do marrë, me kusht që t’i arrestojë kundërshtarët politikë. Dhe i arreston. Ky është Taulant Balla”- u shprej Berisha duke sulmuar hapur kreun e ri te grupit parlamentar të PS.

“Për mua, nuk kishte asgjë të papritur sepse të hysh në një narko-parlament, ku kartelet e drogës janë më të përfaqësuara se kurrë, ku grupin e partisë së krimit e kryeson njeriu që me dokumente ka porositur vrasje. E kryeson njeriu që me dokumente zyrtare ka liruar terroristë siç janë ata që i vendosin tritolin Lulzim Kullës.
Njeriu që ka liruar kriminelë nga komisariatet.
Njeriu që figuron në dokumente zyrtare se është implikuar në dhjetëra afera korruptive të Klement Xhaferit. Një ushtar i vërtetë i Suel Çelës. Njeriu që me Marion, vëllain e Suel Çelës, përcakton sipas dokumenteve zyrtare, numrin e votave që do marrë, me kusht që t’i arrestojë kundërshtarët politikë. Dhe i arreston.
Ky është Taulant Balla. Imagjinoni se përkarshi kujt ulemi ne.
Nuk është problemi Sara Mile, Arkend Balla, Drazhi, ata janë lule në krahasim me çfarë janë Balla, Xhafaj dhe grupi tjetër kriminal. Dhe unë mirëkuptoj, sepse është e vërtetë që praninë tonë Edi Rama e shfrytëzon, njeriu që nxori sot teorinë e pushtetit të vazhdueshëm, e pushtetit permanent, praninë tonë e shfrytëzon si stoli. Kjo, të mos kemi iluzion.
Sepse sot, ai në mënyrë të hapur, para shqiptarëve dhe botës, tregoi se ç’mendon ai për rotacionin. Se rotacioni është diçka që nuk ka lidhje me të”- u shpreh Berisha.