Teska fushata zyrtare po afron, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dhënë urdhrat e parë për kandidatët për deputetë.
Ai ka shpërndarë një “rregullore”, përmes së cilës u kërkon kandidatëve që qasjet e tyre në komunikimet publike të marrin kthesë të menjëhershme.
Sipas rregulorres së re, Berisha i urdhëron kandidatët, që 80 për qind e komunikimit të tyre në televizion, Facebook apo rrjete të tjera sociale të bazohet te programi i partisë dhe koalicionit, kurse pjesa tjetër të rezervohet për kritika kundër kundërshtarëve.
Po ashtu “qarkorja” e Berishës parashikon edhe detyra të tjera që duhet të kryejnë kandidatët për deputetë.
Mesazhi i shpërndarë për kandidatët:
Mirëmbrëma dhe përshëndetje. Me këtë mesazh kërkoj nga ju që, duke filluar nga nesër, marrëdhëniet tuaja publike të marrin kthesë të fortë dhe të menjëhershme.
1- Në çdo komunikim tuaj në TV, Facebook, rrjete të tjera sociale, mbi 80% të prononcimit apo prononcimeve duhet t’i kushtoni detyrimisht programit të PD + ASHM dhe vetëm programit, dhe jo më shumë se 20% kritikave kundër kundërshtarit.
2- Për të realizuar këtë, secili nga ju do të bëjë video me kamera ose me celular për rrjetet sociale dhe në çdo bisedë me qytetarët do të ndalet te programi ynë, shtyllat e tij.
3- Secili nga ju të postojë video me zërin dhe figurën tuaj ose me qytetarë, ku të rendisni pika të programit tonë ose të merrni video apo copëza nga fjala ime për programin dhe vetëm për shtyllat e programit. Shmangni në maksimum komentet e tjera për çështje jashtë programit. Kundërshtari me mediat e tij kërkon t’ju shfrytëzojë me qëllim që të krijojë lajme me komentet apo përgjigjet tuaja që nuk kanë lidhje me programin. E gjithë propaganda e Edi Ramës synon të mbulojë me çdo gjë të mundshme programin tonë, pasi ai vetë nuk paraqet dot program.
4- Do të postoni edhe për problemet e mprehta të qytetarëve të zonave tuaja, duke premtuar zgjidhje në përputhje me programin.
5- Ju nuk reagoni në kor për Ramën dhe deklaratat e tij pa marrë porosi.
6- Me Ramën dhe qeverinë merruni kur denonconi çështjet gjatë shpjegimit të programit tonë dhe në atë rast duke ruajtur raportin 80/20. Kurse me deklaratat e Ramës që nuk janë specifike për ju, nuk duhet të merreni.
7- Me deklaratat e tij dhe të ministrave specifikë për qarkun tuaj, reagimi bëhet nga udhëheqësi politik i qarkut ose, sipas rastit, selia qendrore. Kurse me drejtuesit socialistë të qarqeve merren kryetarët tanë të qarqeve.
Përshëndetje,
Sali Berisha.