Partia Demokratike ka prezantuar sot koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” (PD-ASHM), ku bëjnë pjesë në total 26 parti. Gjatë fjalës së tij, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se ky është koalicioni më i fuqishëm në këto 32 vite demokraci të vendit, i bazuar në transparencë dhe që përfaqëson interesat e kombit.
Ai tha se ky koalicion nis garën elektorale përballë një narkoregjimi, i lidhur kokë e xhep me krimin dhe korrupsionin. Kryedemokrati Berisha nuk la pa sulmuar edhe qeverinë e kryeministrit Edi Rama, që sipas tij largoi 45 % të shqiptarëve nga vendi.
“Së bashku me koalicionin më të fuqishëm që Shqipëria ka përjetuar në 32 vite u drejtohem shqiptarëve në një moment historik, moment të cilin ky komb vendos në përpjekjen më epike për t’u ndarë nga diktatura e dytë që kombi përjetoi 34 vite pas përmbysjes së diktaturës së parë. Kjo ditë është një ditë shumë e veçantë në historinë e shqiptarëve për liri e dinjitet, për një Shqipëri të jetueshme, për një Shqipëri Made In Albania. Ky koalicion që paraqitet sot para shqiptarëve përfaqëson jo vetëm shumicën absolute në distancë të qytetarëve shqiptarë, por përfaqëson elitën politike dhe të gjithanshme të kombit shqiptar. Ky koalicion ka në gjirin e vet vajza dhe djem burra dhe gra, qëndrestarë të pamposhtur, personalitete, patriotë e ekspertë të shquar e shkolluar. Ky koalicion ka të gjithë mendjen, vullnetin, atdhetarinë dhe përkushtimin për të bërë Shqipërinë madhështore. Për ta bërë Shqipërinë një vend ku qytetarët e lirë të saj të mos njohin më dhimbjet çnjerëzore të varfërisë ekstreme, ku bijtë të rendin pas ëndrrës shqiptare ta ndërtojnë në Shqipëri. Ky është koalicioni i transparencës, që njohin vlerësojnë shqiptarët, përfaqëson të gjithë interesat, shtresat, komunitetet e ndryshme të këtij kombi”- u shpreh mes të tjerash, Berisha.