Ish kryeministri Sali Berisha thotë se Taulant Balla është nën hetim nga SPAK pasi Europol ka dorëzuar tek prokuroria e posaçme të dhëna që e lidhin me krimin.
Berisha ka mbledhur sot grupin parlamentar të PD ku ka folur për skandalin e videos së familjes së ish deputetit Rraja si dhe skandalin e Arben Ahmetajt.
Ndër të tjera ai ka thënë se Rraja ka qenë si mishi me thoin me Edi Ramën dhe Taulant Ballën. Për këtë të fundit ai tha se èshtë thirrur të paktën tre herë në SPAK dhe kur dilte thoshte se ishte thirrur “për Saliun”
“Emërimi i Ballës është emërimi i krimit në krye të asaj ministrie. Balla me dokumente zyrtare rezulton i lidhur ngushtësisht me bandat e Elbasanit, Cërrikut, Lushnjës, Librazhdit dhe klanin Rraja. Për këto ka dokumente. Balla është në hetim, është thirr të paktën tre herë në SPAK për lidhjet e tij me Xhaferrin, ndikimin e tij në tendera për kompaninë e tij që e ka me emër të shoqes dhe për probleme të tjera. Burime serioze thonë se Europol ka sjellë të dhëna në prokurori për Taulant Ballën, kjo e thirrjes së tij në SPAK është 100% e vërtetë, jo një po disa herë, paçka se dilte e thonte isha për Saliun, ata e kishin thirr për lidhjet e tij me krimin. Kurse kjo e dorëzimit të dokumenteve nga Europol që e kanë të regjistruar sipas këtij burimi, kjo mbetet në fshehtësinë e SPAK, përderisa Rama e emëroi për t’i dhënë një dopio imunitet. Përveç deputetit, ka imunitet edhe si ministër i brendshëm, mund të ushtrojë mbi prokurorët presione nga më të ndryshmet”, tha Berisha.