Ish kryeministri Sali Berisha ka komentuar për herët të parë skandalin e Safet Gjicit.
Në një prononcim nga selia e PD. Berisha tha se ky rast është fytyra e vërtetë e këtij regjimi që përsa kohë të jetë në pushtet, do të ketë vetëm skandale.
“Rasti i Kukësit është fytyra e vërtetë e këtij regjimi, është dëshmia e sundimit të të gjitha formave të korrupsionit, përfshi korrupsionin erotik. Është një dëshmi flagrante e një regjimi të kalbur, që ka humbur prej kohësh të drejtën për të qeverisur. Sa të jetë, vetëm skandale do kemi. Duhet të bëjmë gjithçka për të aktivizuar më shumë nervin e protestës antiqeveritare. Ky regjim përveç protestës, nuk njeh gjuhë tjetër. Duhet ta kemi shumë të qartë dhe duhet të qartësojmë te zgjedhësit,” tha Berisha, duke theksuar edhe njëherë nevojën e minimumit jetik.
“Problem kryesor ne kemi minimumin jetik. Unë e kuptoj që këta nuk e pranojnë se janë me kompleksin e mohimit dhe pashpirtësisë. Të refuzosh minimumin jetik, tregon se së paku nuk ta ndjen për ta, por ata janë shumë. Ju e keni konstatuar, të gjitha statistikat tregojnë se varfëria është rritur dhe është përgjysmuar ndihma ekonomike. Sot bashkitë paguajnë më shumë për një qen, paguajnë 60 mijë lekë për një qen dhe paguajnë 40 mijë lekë për një njeri.Ne duhet ta mbrojmë me forcë çështjen e minimumit jetik. Një çështje që jep impakt të menjëhershëm. Nuk duhet të ketë shqiptar që të mos ketë 200 euro në muaj”, theksoi ish kryeministri.