Berisha nxjerr dokumentin: Edi Rama kërkon të bëjë kurban Niko Peleshin!

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë sot një deklaratë të fortë duke thënë se Rama do t’ia hedhë fajin Niko Peleshit, për firmën e hedhur për inceneratorët.

Berisha ka nxjerrë edhe dokumentin sipas të cilit Edi Rama është personi që ka firmosur lejen e ndërtimit të djegësit të Elbasanit.

“Për kryeministrin e vendit nuk mund të firmosë kurrë kush pa autorizimin e tij”, thotë Berisha, edhe pse Rama përpiqet të bëjë kurban Niko Peleshin, për të shpëtuar veten e tij.

Sipas Berishës, kryeministri po bën ‘një përpjekje të jashtëzakonshme për të nxjerrë sipërmarrjen mega-aferën gjigante si një aferë të Zoto-Mërtiri”.

“Shpërndan dokumente dhe arrin deri aty sa do të bëjë kurban Niko Peleshin se ka firmosur ai për procedurën dhe jo unë. Kjo është një përpjekje mjerane e Edi Ramës

Së pari Edi Rama është kokë e këmbë dhe me firmën e tij i zhytur dhe kryesor në aferën e djegëseve. Këtu unë kam një vendim të datës 2.11.2014. Edi Rama me firmën e tij rishikon buxhetin afatmesëm dhe fut në këtë rishikim djegësin e Elbasanit, kontrata për të cilën do firmosej vetëm një muaj më vonë. Kontrata është firmosur ditën fatale siç e kanë quajtur mediat, 16 ose 17 dhjetorin.

Së dyti, Edi Rama është personi që ka firmosur lejen e ndërtimit të djegësit të Elbasanit.

Në një shkresë ku thotë në mungesë dhe me porosi.  Për kryeministrin e vendit nuk mund të firmosë askush pa autorizimin e tij.

Autorizimi i kryeministrit mbi firmën është përgjegjësi e plotë e kryeministrit. Autorizimi që bën kryeministri atij që firmos në vend të tij e bën përgjegjës njësoj sikur ka firmosur vetë.

Sesi mendon Rama të shpëtojë duke bërë kurban Peleshin, kjo nuk mund të ndodhë. Po, Peleshi është përgjegjës vetë, sepse me porosi dhe në mungesë ka firmosur një akt të kundërligjshëm”, tha Berisha.