Fitorja e kandidatit të PS për bashkinë e Rrogozhinës ka sjellë reagime nga Partia Demokratike. Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat ku është shprehur se procesi zgjedhor i përsëritur i ditës së djeshme ka patur parregullsi dhe vjedhje vote.
Berisha tha se për këto zgjedhje janë kryer veprime antiligjore, pasi është bërë një terror fizik dhe fiskal ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Ai renditi edhe disa emra politikanësh e drejtuesish që sipas tij, kanë marrë pjesë në vjedhjen e votave në Rrogozhinë, ndërsa tha se opozita disponon pamje të shumta filmike, që do i bëjë publike për mediat, të cilat tregojnë parregullsitë e shumta të regjistruara në qendrat e votimit, si votimi familjar, etj.
“Procesi në Rrogozhinë u mbyll në mënyrë më kriminale sepse mandatin që ja dhanë qytetaret kandidati i koalicionit bashkë fitojmë ja rrëmbyen në mënyrë kriminale dhe antiligjore institucionet e farsës elektorale. Ja rrëmbyen pasi rezultati ishte përmbysur nga qendra e paligjshme e ngritur në burgun e Rrogozhinës.
Unë ju them këtu se u manifestuan të gjitha fenomenet më të shëmtuara antiligjore të farsës së majit.
Në rezultatin e mbrëmshëm qëndron një terror i paparë i ushtruar për një muaj rresht ndaj qytetarëve, ndaj biznesmenëve të Rrogozhinës. Terror fiskal e fizik. Në farsën elektorale u konstatuan manipulime të hapura. Fletë votimi të përgatitura paraprakisht. Fotografim i fletëve të votimit në qendrën e votimit, votime në grupe dhe familjare
E gjithë kjo farsë u drejtua nga Erion Veliaj, i cili në përfundim të saj pranoi se shqiptarët nuk na duan. Pranoi se fituan jo se na duan.
Të mendosh se shtohen votat kur pas skandaleve të tmerrshme si ajo e klanit Rraja, pas skandaleve seksuale të zyrtarëve, të mendosh se shtohen votat pas arratisjes së shekullit, do të thotë të jesh me një koeficient intelektual afër zeros.
Veliaj nuk bie në këtë pozitë, e thotë haptas me porosi të Ramës, se fituam jo se na duan, por sepse nuk duan Berishën. Pra përsëri i kap tmerri i Berishës. Rruga e vetme është përballje me këtë bandë që drejton sot Shqipërinë dhe Shqiptarët. Rama dhe Veliaj me vjedhjen e zgjedhjeve në Rrogozhinë, jo vetëm nuk mbulojnë dot vjedhjet e tmerrshme, që arrijnë në 138 miliardë lekë sipas KLSH, me vjedhje të tmerrshme që vetëm në dogana dhe tatime arrijnë në 104 miliardë lekë, por përkundrazi, ftojmë shqiptarët të ngrihen kundër këtij regjimi i cili është një armik i egër i qenies së shqiptarëve.
Opozita mbyll sot një etapë, në të cilën ajo nuk gjeti asnjë befasi. Ajo i paralajmëroi shqiptarët 3 muaj më parë që me Ramën nuk ka zgjedhje. Faktet dhe dokumentat ishte detyrimi i saj t’i paraqiste para shqiptarëve. Ftoj çdo qytetar dhe qytetare që e do këtë vend, që besojnë se ai, vendi i tij dhe fëmijët e tyre meritojnë një të ardhme, jo si shtet që drejtohet nga klanet mafioze. Asgjë nuk mund të mposhtë vullnetin e atyre që vendosin të luftojnë për liri dhe dinjitet të vendit të tyre.
Këtu janë përgatitur sekuenca nga dita e djeshme, ku tregojnë se në krye të bandës në Rrogozhinë, pas Veliajt, qëndronte Blendi Gonxhe, Afrim Qendro, hajdutë me damkë, deputeti Agron Çela, edhe ky njeri që nga fryn era kthen flamurin. Famozi Valdrin Pjetri, Etjen Xhafaj, deputet vegël e verbër e Veliajt, Taulant Tusha, Blerim Shera, Nuredin Bushi dhe shumë të tjerë që kryen akte anti-ligjore në fushatën e djeshme. Këtu i kemi votimet kolektive, votimet me familjen, deklaratat”, u shpreh Berisha.