Berisha godet menjëherë, mesazh kupolës në PS: Gjiknuri u flak, radha juaj

I menjëhershëm ishte reagimi i kreut të Opozitës, Sali Berisha pas lajmit se kryeministri Edi Rama shkarkoi Damianin Gjiknirin nga numri dy i Partisë Socialiste. Berisha tha se Gjiknuri u largua për shkak se  po bëhet gati të arrestohet për çështjen e inceneratorëve. 

“Ajo dosje që rëndom mund të quhet dosja ‘Ahmetaj’, në çdo rresht, në çdo fjalë, në çdo kuptim dhe çdo nënkuptim, është dosja Rama, dosja Agaçi, dosja Veliaj, dosja viktima e fundit, Damiani, që u flak sot si Arben Ahmetaj, natyrisht me këshillën për t’u arratisur. Dosja dhe flakët e saj kanë përcëlluar deputetë, ministra të tjerë e me radhë. Ndaj dhe lokali i bukur i pronarit të vet, u shndërrua në shpellë mafie për një orë. Nuk kam asgjë me lokalin, por dyert e mbyllura ishin fytyra e vërtetë e mafies shtetërore”, tha Berisha. 

Në daljen e tij, Berisha paralajmëroi  zyrtarët e lartë të PS se do kenë fatin e Ahmetaj, Dakos dhe Gjiknurit. 

“Edi Rama është i gatshëm që të shesë secilin prej tyre për të shpëtuar lëkurën e tij. Por vetë është i pashpresë. Socialistëve të ndershëm iu bëj thirrje, ta shohin këtë proces shpërbërje si një proces shpëtimi të tyre, se ky është një klan uzurpator, që e shndërroi partinë e tyre në parti krimi.

Zyrtarëve u bëj thirrje të heqin çdo shpresë. Do ju rrëfej në mirëbesim një gjë, një moment shumë domethënës të Edi Ramës me Vangjush Dakon”, tha Berisha.