Berisha dorëzon në GJKKO kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka

Ish kryeministri Sali Berisha ka dërguar në kryesekretarinë e GJKKO përjashtimin  gjyqtares Irena Gjoka nga çështja e tij, për akuzat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.

Edhe pse avokatët kishin njoftuar që dy ditë më parë për këtë kërkesë, ajo në fakt është depozituar vetëm ditën e sotme në sekretarinë e GJKKO.

Kërkesa i ka kaluar për shqyrtim gjykates pasardhëse të gatishmërisë Flora Hajredinaj.

Njoftimi i GJKKO:

Në kryesekretarine e GJKKO-së, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09:45, është paraqitur kërkesa e kërkuesit Sali Berisha, me objekt: “Kërkohet përjashtimi i gjyqtares Irena Gjoka”, nga gjykimi i kërkesës penale të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha, me bazë ligjore nenet 17, 18, 19, 21, 22, 23 të Kodit të Procedurës Penale. Duke qenë se gatishmëria për javën 23.10.2023-29.10.2023, referuar urdhërit të gatishmërisë të zv.Kryetares së gjykatës, i takon gjyqtares Irena Gjoka, kjo kërkesë i ka kaluar për shqyrtim gjyqtares pasardhëse të gatishmërisë, Flora Hajredinaj.