Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe ish-deputeti, Ervin Salianji duket se rrugët i kanë të ndara tashmë.
Salianji ka nisur prej disa javësh takimet me demokratët në rrethe, ndërsa sot në orën 18:00 ai do të ndalet në qytetin e Shkodrës.
Ndërkohë po sot, Berisha njoftoi për Foltoren e radhës, ku po orën 18:00 ai do të takohet me demokratët e Korçës.
Edhe pse takimet do të mbahen në dy qytete të ndryshme, Berisha dhe Salianji janë “përplasur” me orarin.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Berisha e akuzoi Salianjin se ka kaluar “vijën e kuqe”, lidhur me takimin që ish-deputeti zhvilloi në Elbasan dhe akuzave se ai e kishte organizuar në bashkëpunim me Suel Çelën.
Megjithatë Salianji i hodhi poshtë këto akuza, ndërsa pak ditë më parë sulmoi edhe Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Flamur Noka, si një njeri që ka bërë pazare në kurriz të PD dhe demokratëve.