Policia ka proceduar penalisht pronarin e një lokali në Peqin, në të cilin u sekuestruan 10 fletë të ngjashme me fletët e votimit, të paplotësuara dhe të dyshuara të falsifikuara. Po ashtu gjatë kontrollit u gjet një listë me emra zgjedhësish të zonës.
Një manipulim i tillë u pretendua edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Ai denoncoi rastin te enjten duke pretenduar se lokali në fjalë ku janë gjetur materiale zgjedhore është në pronësi të vëzhguesit të Partisë Socialiste në Peqin.
Ai foli për modelin “Treni bullgar”, një model ky që sipas tij u përdor masivisht më 11 maj për të deformuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin, pas njoftimit të marrë më datë 22.05.2025, se në një lokal në fshatin Pekisht, ishin gjetur disa materiale të dyshuara zgjedhore, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, me qëllim verifikimin e rastit.
Gjatë veprimeve të kryera në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, në lokalin e shtetasit D. B., janë gjetur dhe sekuestruar 10 fletë të ngjashme me fletët e votimit, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve. Gjithashtu, është sekuestruar portofoli i shtetasit D. B., me 280 000 lekë.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. B., janë gjetur një pushkë e vjetër trofe dhe një pistoletë zhurmuese (sportive).
Në vijim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. B., për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.