Ish kryeministri Sali Berisha ka dalë sot në konferencën javore me gazetarët. Duke analizuar humbjen në zgjedhjet e 14 majit, Berisha tha se “Bashkë Fitojmë” ka konstatuar vjedhje, parregullsi në proces dhe presione gjatë fushatës.
Ai tha se në Elbasan ka pamje filmike (të cilat sipas tij i janë paraqitur KAS) dhe tregojnë që janë lejuar të votojnë edhe fëmijë. Berisha hodhi akuza ndaj Ilir Rusmailit, duke e cilësuar kriminel elektoral. Sipas tij, ai ka urrejtje sepse është shkarkuar për korrupsion.
“Provat filmike të pakundërshtueshme janë paraqitur përpara KAS-it, i cili siç del, kryesohet nga një kriminel i vërtetë elektoral. Pra, një proces antiligjor i faktuar me dokumente zyrtare, injorohet nga një person që ka urrejtje në çdo qelizë të trupit të tij sepse është shkarkuar nga zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë për shkak të korrupsionit. Ai nuk meriton, ai e ka vendin aty ku duhet të jetë çdo kriminel elektoral. Ju i keni ndjekur ndoshta dje, nga salla e KAS-it, në çdo qendër votimi, gjatë gjithë ditës, operatorët shkelnin ligjin elektoral, kontrollonin votën e zgjedhësve. Votimi në Elbasan ka kulmuar kur janë lejuar të votojnë edhe fëmijë në moshën 10-vjeçare dhe kjo është e filmuar. Pra, në qendrën e dytë më të madhe të vendit, de facto nuk është votuar. Tek burgu 313, 600 të burgosurve nga grupi i Shullazit dhe vetë Shullazi u janë bërë format më të egra të presionit. Shullazi dhe grupi i tij është lejuar në kundërshtim me rregulloren, të kalojë nga kati në kat për të ushtruar terror tek të burgosurit, duke bërë fushatë për Erion Velinë. U është kërkuar deklaratë të burgosurve”, tha Berisha.