BE dërgon ndihmë për zjarret në Spanjë, rritet numri i viktimave

Bashkimi Evropian ka dërguar dy avionë për shuarjen e zjarreve në Spanjë, pas aktivizimit për herë të parë të mekanizmit evropian të ndihmës emergjente nga ky shtet. Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, konfirmoi se kishte kërkuar dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair, për t’u vendosur në zonat më të prekura.

Ndihma vjen në një moment kur numri i viktimave nga flakët ka shkuar në tre, pasi një zjarrfikës vullnetar humbi jetën në Leon. Më herët, një civil dhe një tjetër zjarrfikës kishin ndërruar jetë në rajone të ndryshme të vendit.

Agjencia shtetërore e motit AEMET ka paralajmëruar se vala e të nxehtit do të vazhdojë deri të hënën, me temperatura që në disa zona do të kalojnë 44°C, duke rritur rrezikun për përhapjen e mëtejshme të zjarreve.

Qindra zjarrfikës dhe mijëra banorë janë mobilizuar dhe evakuuar, përfshirë 700 vetë nga qyteti perëndimor i Caceres. Kryeministri Pedro Sanchez ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka deklaruar se “të gjitha burimet shtetërore janë në veprim për të përballuar këtë situatë ekstreme.”

Spanja nuk është i vetmi shtet në alarm. Edhe Greqia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë kërkuar ndihmë nga BE për përballimin e zjarreve të shumta. Në Greqi, flakët janë aktive për ditën e tretë radhazi, me mbi 10,000 hektarë tokë të djegur dhe dhjetëra të plagosur.

Sipas të dhënave të BE-së, që nga fillimi i vitit janë djegur rreth 439,000 hektarë tokë në Evropë, më shumë se dyfishi i sipërfaqes së djegur në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.