Presidenti Volodymyr Zelensky u kthye në Shtëpinë e Bardhë të hënën për t’u takuar me Presidentin e SHBA-së Donald Trump për bisedime të reja që synojnë përfundimin e luftës në Ukrainë.
Disa udhëheqës evropianë fluturuan gjithashtu për në Uashington për të marrë pjesë në takim, disa ditë pasi Trump u takua me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin në Alaska për një samit që dështoi të rezultonte në një armëpushim.
Pavarësisht fjalëve optimiste nga Trump dhe disa vlerësimeve më të vakëta nga partnerët e tij evropianë, deri të hënën në mbrëmje nuk kishte angazhime konkrete për garancitë e sigurisë ose hapa drejt një marrëveshjeje paqeje.
Këtu janë përfundimet kryesore nga bisedimet.
1. Një takim Putin-Zelensky në prag?
Pas samitit, Trump postoi në Truth Social se i kishte telefonuar Putinit për të filluar organizimin e bisedimeve midis udhëheqësit rus dhe Zelensky-t.
Trump tha se pas një takimi të tillë dypalësh, në një vend që do të përcaktohet, do të ketë një takim trepalësh ku presidenti amerikan do t’u bashkohet atyre.
Një këshilltar i Putinit tha më pas se Trump dhe Putin folën për 40 minuta në telefon të hënën.
Para se udhëheqësit evropianë të uleshin me Trump në Dhomën Lindore në Shtëpinë e Bardhë, një mikrofon kapi komentet midis udhëheqësit amerikan dhe Presidentit francez Emmanuel Macron.
“Mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje. Mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje për mua. E kupton këtë? Sado e çmendur që tingëllon kjo,” i tha Trump Macron-it, duke iu referuar Putinit.
Mbetet për t’u parë se sa e drejtpërdrejtë do të jetë të sjellësh dy armiq të tillë të betuar ballë për ballë në tryezën e negociatave për herë të parë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt 2022.
Për muaj të tërë, Zelensky ka kërkuar të takohet me Putinin, megjithëse kjo ishte ndoshta një mënyrë për të vërtetuar argumentin e tij se Rusia nuk është serioze në ndjekjen e paqes, pasi ai besonte se Kremlini nuk kishte interes për një takim të tillë.
Moska e ka hedhur poshtë vazhdimisht idenë e një takimi Putin-Zelensky.
Një deklaratë jo-angazhuese nga ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, të hënën në mbrëmje tha se ishte “e vlefshme” të “eksplorohej mundësia e rritjes së nivelit të përfaqësuesve” nga delegacionet ruse dhe ukrainase në negociata.
2. Evropianët kundërshtojnë ndërsa Trump tërhiqet nga armëpushimi
Trump duket se e hodhi poshtë nevojën për çdo armëpushim përpara se të zhvillohen negociatat për t’i dhënë fund luftës.
Në të kaluarën, kjo ka qenë një kërkesë kyçe e Ukrainës, e cila e bëri të qartë se e sheh fundin e luftimeve si një parakusht për bisedime të mëtejshme me Rusinë dhe, në fund të fundit, për një zgjidhje afatgjatë.
Një armëpushim mund të jetë gjithashtu pak më i lehtë për t’u rënë dakord sesa një marrëveshje e plotë paqeje, e cila do të zgjaste shumë muaj negociatash, gjatë të cilave sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ndoshta do të vazhdonte.
“Nuk e di nëse është e nevojshme,” tha Trump për një armëpushim.
Por udhëheqësit evropianë duket se kundërshtuan, me kundërshtimin më të fortë që erdhi nga kancelari gjerman Friedrich Merz.
“Nuk mund ta imagjinoj që takimi i ardhshëm të zhvillohet pa një armëpushim,” tha Merz. “Pra, le të punojmë për këtë dhe le të përpiqemi të ushtrojmë presion mbi Rusinë.”
Kur iu kërkua të fliste, Zelensky nuk i përsëriti thirrjet e tij të mëparshme për të vendosur një armëpushim.
3. Trump sinjalizon garanci sigurie
Trump i tha Zelenskyt se SHBA do të ndihmojnë në garantimin e sigurisë së Ukrainës në çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, por pa specifikuar detaje.
Presidenti amerikan nuk premtoi trupa amerikane në terren, por nuk e përjashtoi as këtë mundësi kur u pyet nga gazetarët. Ai tha se Evropa është “linja e parë e mbrojtjes”, por shtoi: “Edhe ne do të jemi të përfshirë. Do t’u japim mbrojtje të mirë.”
Trump gjithashtu deklaroi se gjatë samitit të Alaskës, Putin kishte pranuar idenë që garancitë e sigurisë për Ukrainën të jenë pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje.
Në një konferencë për shtyp pas takimeve të së hënës, Zelensky tha se pjesë e garancive të sigurisë do të përfshinte një marrëveshje armësh me SHBA në vlerën e 90 miliardë dollarëve. Sipas tij, kjo do të përfshinte sisteme ajrore, sisteme kundërraketore dhe armë të tjera që nuk i ka Ukraina.
Zelensky shtoi gjithashtu se SHBA do të blinte dronë ukrainas, gjë që do të ndihmonte prodhimin vendas të tyre. Ai deklaroi se garancitë e sigurisë për Kievin mund të finalizohen brenda 10 ditësh.
4. Zelensky në ofensivë diplomatike
Pas vizitës së fundit në Shkurt, kur pati tensione në Zyrën Ovale, Zelensky këtë herë përdori një qasje më miqësore ndaj pritësve amerikanë. Ai nisi takimin me gjashtë “faleminderit” radhazi brenda minutave të para.
Vizita e kaluar ishte e tensionuar pasi zv. Presidenti JD Vance e kishte kritikuar për mungesë mirënjohjeje ndaj ndihmës amerikane.
Këtë herë, Zelensky zgjodhi të shfaqej me një kostum të errët, ndryshe nga veshja e tij ushtarake tradicionale, që herën e kaluar u komentua me ironi nga Trump si “i veshur me kostum sot”.
Presidenti ukrainas gjithashtu kërkoi të forcojë lidhjet personale, duke i dorëzuar Trump një letër nga Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, për Zonjën e Parë të SHBA-ve, Melania Trump. “Nuk është për ju, është për gruan tuaj,” i tha ai Trumpit.
Edhe liderët evropianë shtuan notat e mirënjohjes ndaj Trump para takimit multilateral, duke e falënderuar për rolin e tij në mbledhjen e tyre në tryezë.
“Dua t’ju falënderoj vërtet për udhëheqjen tuaj,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se, ndonëse më parë nuk kishte shenja që Rusia donte të afrohej me paqen, “diçka kishte ndryshuar” falë Trump.
Megjithë tonet e ngrohta, evropianët u përpoqën të nënvizojnë se edhe ata ndihen të ekspozuar ndaj çdo agresioni të ardhshëm rus. “Kur flasim për garanci sigurie, flasim edhe për sigurinë e kontinentit evropian,” tha Macron me tone serioze.