Basti publik i Myslim Murrizit: 2-3 deputetë të PD-së do futen në burg, unë dhe Alimehmeti do futemi në Kuvend

Kandidati i koalicionit PD-ASHM në zgjedhjet e 11 Majit, Myslim Murrizi, ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me atë që pritet të ndodhë gjatë muajve të verës.

Ai tha se 2-3 deputetë nga Partia Demokratike do të arrestohen dhe burgosen, duke i lënë vendin në Kuvend atij dhe Ilir Alimehmetit.

“Mund të ikin vetë ata të së mbyllurës se nuk i tremb as unë e as Iliri (Alimhemeti). Se do hyjnë ca në burg, ja po e them tani. Dhe nuk i fus në burg unë, por do i fusë llumi i vetë. Shumë informacion. A kam gënjyer ndonjëherë tani këto 10 vite? Mbaje si bast”, tha Murrizi në Top story.

Ai kritikoi edhe kreun e PD-së, Sali Berishën për marrëveshjen e vitit 2008 me Edi Ramën për Kodin Zgjedhor. Murrizi tha se ky Kod Zgjedhor është një “monstër”, pasi nuk u jep mundësinë të përfaqësohen partive dhe kandidatëve që marrin mijëra vota.

“Sali Berisha duhet të thotë, siç ka thënë në firmat piramidale, që ka gabuar në pazarin e prillit të 2008-ës kur ka bashkuar votat me Ramën për këtë kod zgjedhor. Duhet të dalë dhe ta thotë, se më ka dalë llapa lesh duke e thënë në çdo mbledhje.

Ky është kodi më monstër që ka ky vend, që një parti mund të marrë 100 mijë vota dhe nuk merr mandat në asnjë cep të Shqipërisë. Shqipëria duhet të jetë një zonë zgjedhore dhe lista 100% të hapura.

Berisha bashkoi votat në korrik të 2024-ës, duke mashtruar me Oerdin dhe Gazin, që është detyrim i Gjykatës Kushtetuese. Zero detyrim ishte. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi si pasojë e goditjes së Myslim Murrizit. Unë e çova në Gjykatë Kushtetuese, se Luli ishte në gjumë, kishte frikë ta çonte. Dhe Gjykata tha që herësi është anti-kushtetues”, tha Murrizi.