Muajt e verës janë një mundësi e mirë për bashkitë që të rikonstruktojnë shkollat e dëmtuara, për t’u dhënë më shumë kushte fëmijëve të shkollohen.
Por për bashkitë Librazhd dhe Mallakastër 3 muajt e verës kanë qenë muaj pushimi, pasi disa shkolla në fshatrat e këtyre bashkive janë të shkatërruara dhe pa kushte për fëmijët. Në Funarë të Librazhdit, prindërit janë ngritur në protestë, pasi fëmijët e tyre janë të detyruar të zhvillojnë mësimin në bodrume apo loKale, pasi ndërtesa e shkollës është jashtë funksionit prej tërmetit të vitit 2019.
Një pjesë e fëmijëve që kanë patur mundësi ekonomike kanë shkuar të vazhdojnë shkollën në Librazhd, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur pa zhvilluar mësim, pasi kushtet në bodrume dhe lokale nuk janë të favorshme për shkollimin e tyre.
“Shkolla më e afërt është 4 km. Meqë ka kaq vite që na gënjejnë ne nuk do t’i çojmë fëmijët në shkollë. Nuk pranojmë asnjë kompromis tjetër, duam të bëhet funksionale shkolla. Niveli i arsimit është copë-copë sepse bëjnë mësim në klasa të bashkuara. Fëmijët tanë janë analfabetë”, shprehen prindërit të shqetësuar për News 24.
Ndërkohë, edhe në Mallakastër vijon të jetë i njëjti problem. Në shkollën “Hajredin Fratari” në Fratar, për shkak të strukturës së dëmtuar së çatisë, kati i dytë i godinës është jashtë funksionit duke sjellë mbipopullim nxënësish në katin e pare. Për pasojë, mësimi zhvillohet me turne, por kjo situatë ka shqetësuar prindërit që janë ngritur në protestë.
Kjo shkollë frekuentohet nga nxënës të 15 fshatrave përreth në distancë të largët dhe me mungesë transporti, ndaj edhe mësimi me turne është i pamundur. Bashkia Mallakastër thotë se ndërmarrja e shërbimeve është duke punuar për të bërë ndërhyrjen emergjente, por kjo ndërhyrje duhej të ishte bërë përpara fillimit të shkollës dhe jo tani kur nxënësit kanë filluar mësimin.