Edhe pse Këshilli Kombëtar i PD anuloi dje zgjedhjet brenda partisë, Lulzim Basha reagoi duke u shprehur i vendosur se ato do të mbahen. Sot grupi i deputetit Gazment Bardhi ka dërguar çështjen e zgjedhjeve në Gjykatë. Një grup deputetësh të kësaj partie duke folur jashtë gjykatës kanë hedhur akuza për Lulzim Bashën duke thënë se do ta kthejë partinë në pronë private.
Ky hap vjen një ditë pas mbledhjes online të Këshillit së PD-së, e cila anuloi zgjedhjet dhe shkriu Kryesinë.
“Askush nuk ka të drejtë që të privatizojë Partinë duke e kthyer atë në një parti private. Anëtarët e PD kanë vetëm një synim se si të forcojmë PD. Kemi dorëzuar një dosje me të gjitha vendimet që kemi marrë në Këshillin Kombëtar.”, tha deputeti demokrat, Bledjon Nallbati.Këshilli Kombëtar i PD e quajti procesin e zgjedhjeve antistatutor ndërsa për Kryesinë tha se ka marrë vendime në shkelje të statutit. Pas përfundimit të mbledhjes, Bardhi tha se vendimet e Kryesisë janë nul dhe se sipas tij kanë falsifikuar edhe vulën.
Dërgimi i çështjes në gjykatë do të sjellë edhe zvarritjen e procesit për të vendosur një kryetar të ri në PD-në e përçarë.
Basha është shprehur i vendosur megjithatë pas vendimit të Këshillit që nesër të mbajë zgjedhjet. Në një postim në rrjetet sociale mbrëmjen e djeshme ai tha se të shtunën me 29 korrik demokratët do të shprehin vullnetin e tyre në një nga momentet më të rëndësishme për Partinë Demokratike.
“Ata do të votojnë jo vetëm për kryetarin, por për të nisur një rrugëtim të ri, të organizimit, ringritjes dhe shndërrimit të PD në alternativën që duan dhe presin shqiptarë”, shkroi ndër të tjera ish kreu i Partisë Demokratike.