Barometri, shqiptarët nuk duan t’ia dinë për politikën

“Barometri” në Euronews Albania i ka pyetur në sondazhin e të premtes qytetarët për mënyrën si ata e shohin politikën në vend në disa drejtime.

Njëra nga pyetjet e Barometrit i ka vendosur 1000 të intervistuarit përballë pyetjes sa të interesuar janë për politikën në vend?

Nga përgjigjet e qytetarëve rezulton se shumica e tyre janë pak të interesuar për politikën.

Janë 71% e të anketuarve që janë përgjigjur që kanë pak interes për politikën ku 29% e tyre kanë zgjedhur alternativën pak të interesuar dhe 42,4 % aspak të interesuar.

Ajo që bën përshtypje në analizën e të dhënave sipas grupmoshave është fakti që më të rinjtë janë më pak të interesuarit për politikën në krahasim me grupmoshat më të rritura.

Në grupmoshat 18-34 vjeç përqindja e të interesuarve për politikën është më e ulët se ajo e grupmopshave nga 35-75 vjeçare.

Vetëm 21% e 18-24-vjeçarëve janë të interesuar për politikën, ndërkohë ky interes për politikën në grupmoshën 25-34-vjeçare është në nivelin 18.6%.

Ndërsa nga grupmosha 35-44-vjeçare, 31% e tyre janë të interesuar për politikën. Nivelin më të lartë të interesit për politikën e tregon  grupmosha 55-64 vjeçare, ku ky interes është në nivelin 36,2 përqind e tyre.