Gazment Bardhi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit tha se PD është e vetmja parti demokratike në botë që organizon protesta të dhunshme.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi thotë se Rama foli sot si diktatorët që duan ta mbajnë pushtetin me dhunë, ndërsa shton se kreu i qeverisë ka frikë pasi njerëzit nuk heshtin më dhe nuk tërhiqen.
Sipas tij, kur pushteti fillon të veprojë me mllef, urrejtje dhe armiqësi ndaj kundërshtarëve politikë, ai po ndien fundin.
Postimi i Bardhit:
Edi Rama sot foli si të gjithë diktatorët që duan ta mbajnë pushtetin me dhunë. Qetësia dhe siguria e tij janë zhdukur nga frika dhe paniku. Edhe reagimi sadist i policisë mbrëmë kundër njerëzve të lirë, qytetarëve, deputetëve, të miturve, reflektoi frikën e Edi Ramës për humbjen e pushtetit.
Edi Rama ka frikë. Frikë se njerëzit nuk heshtin më. Frikë se ata nuk tërhiqen. Frikë se opozita nuk zmbrapset.
Është një aksiomë e pashkruar: kur pushteti fillon të veprojë me mllef, urrejtje dhe armiqësi ndaj kundërshtarëve politikë, ai po ndien fundin. Por e siguroj Edi Ramën se vendosmëria e njerëzve të lirë dhe e opozitës nuk shuhet as me ujë me piper, as me gaz lotësjellës, as me shkopinj gome.
Protestat do të vazhdojnë, sepse asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin.
Gazi lotsjellës, skafandrat e policisë, shkopinjtë e gomës, dhuna barbare e Edi Ramës nuk mund ta ndalin kohën. Koha e tij po mbaron.