Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se se ekonomia e vendit do të vijojë rritjen e qëndrueshmë në periudhën afatmesme.
Ai theksoi se duke parë treguesit, Banka e Shqipërisë vendosi të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit prej 2.75% për lekun.
“Në mbledhjen e datës 5 shkurt 2025, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 2.75%, si dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 1.75% dhe 3.75%’, tha ai.
Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës u argumentua me faktin se politika aktuale monetare i përgjigjet zhvillimeve ekonomike.
Ai theksoi se inflacioni pritet të kthehet në objektivin prej 3%, gjatë vitit 2025, ndërsa shtoi se përgjatë 2024 Banka Qendrore ka tërhequr rreth 1 miliard euro nga tregu.
“Inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin 3% gjatë vitit 2025. Kjo ecuri do të ndihmohet nga stabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe nga një ecuri më e qëndrueshme e kursit të këmbimit. Nga ana tjetër, presionet e brendshme priten të mbeten të qëndrueshme, si pasojë e rritjes së shëndetshme të ekonomisë dhe pritjeve të ankoruara për inflacionin. Një faktor që do të ndikojë në uljen e inflacionit gjatë vitit 2025 pritet të jetë ulja e çmimit të energjisë elektrike për familjet me konsum deri në 700 kWh. Vetëm gjatë vitit 2024 Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu 1 miliard euro për efekt të rezervës valutore dhe gjithashtu për ndërhyrje të kursit të këmbimit për të stabilizuar kursin e këmbimit. Është bërë për objektiv të formës së inflacionit, pra stabilitetit të çmimeve. Kursi i këmbimit është i paparashikueshëm dhe BSH do monitorojë me kujdes tregun. “, theksoi Sejko.