Banda drejtohej nga shqiptarë, dënohen me burg 50 anëtarë të grupit të drogës në Selanik

Gjykata e Apelit në Selanik ka dhënë dënimet për 50 të pandehur, të akuzuar për trafik droge.

Operacioni i gjerë, ku u arrestuan 60 persona u realizua mbi 5 vite më parë por 50 prej tyre u shpallën fajtorë për krijimin e një organizate kriminale dhe trafikun e drogës brenda një institucioni arsimor.

47 të pandehurit u dënuan me burgim nga 6.9 vjet deri në 15.5 vjet, ndërsa tre të tjerë u dënuan me burgim deri në tre vjet.

Gjoba nga 50.000 deri në 100.000 euro u vendosën gjithashtu për të dënuarit me burgim. Pas hetimeve, Policia e Sigurimit të Selanikut, zbuloi se në krye të grupit kriminal kishte shtetas shqiptarë.

Aktiviteti i tyre përfundoi në dhjetor 2018 kur EL.AS. siguroi prova për aktivitetin e tyre kriminal dhe kreu arrestimet.

Në materialin vizual të regjistruar nga policia, duke përdorur mjete speciale, vërehen lëvizjet e personave të përfshirë për 57 ditë të tëra, ndërsa në të njëjtën kohë ka pasur vëzhgim në të gjitha pikat e veprimit të tyre.

Sipas hetimeve, dy muaj para arrestimit, të pandehurit duket se kanë fituar mbi 500.000 euro duke bërë 500 blerje dhe shitje në ditë.