“Balluku e mbylli, tani është radha e Ramës”, zbulohet mesazhi drejtuar demokratëve para protestës së nesërme

Nesër në seancën plenare Kuvendi i Shqipërisë do të votojë kërkesën e SPAK për autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut.

Por kjo kërkesë duket se nuk do të miratohet, për shkak se mazhoranca e ka bërë të qartë se do të votojë kundër arrestimit të ish-zv.ministres, e cila është marrë e pandehur pasi akuzohet për abuzime me tendera në vlerë rreth 1.1 miliardë euro.

Ndërkohë, opozita ka njoftuar se do të protestojë para Parlamentit, teksa në grupet e anëtarësisë ka shkuar edhe një mesazh, ku ftohen të protestojnë në orën 10:00, kur do të mbahet edhe seanca plenare.

“Të dashur demokratë, Balluku e mbylli kilometrin e fundit. Tani është radha e Ramës! Nesër ora 10:00, tek Parlamenti”, thuhet në mesazhin e shpërndarë në rrjetet sociale.