Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha sot se jo vetëm Irani dhe vendet fqinje, por edhe Kremlini ka lidhje me protestat që po mbahen në vend ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit, Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla tha se së shpejti pritet të ketë një bashkëbisedim me protestuesit që sipas tij kishin arsye legjitime, ndërsa shtoi se “qytetaria e bukur e bulevardit të flamingove do të distancohet edhe më shumë nga dhuna e mbeturinave që kanë marrë peng protestën”.
“Nazizmi lindi duke sulmuar Rajshtagun, duke i vënë zjarrin Parlamentit. Qëndrimi i këtij Kuvendi duhet të jetë i qartë. Këta (PD) arritën deri në pikën sa sot u trembën nga vezët. Ne do vazhdojmë përpara. Pak ditë na ndajnë nga koha kur koha e dialogut me protestuesit që kishin arsye legjitime, po vjen. Besoj shumë që qytetaria e bukur e bulevardit të flamingove do të distancohet edhe më shumë nga dhuna e mbeturinave që kanë marrë peng protestën. Sot dora e huaj po paguan para për të destabilizuar Shqipërinë. Jo vetëm Irani dhe vende të tjera fqinje, por edhe aktorë të tjerë, përfshirë këtu edhe Kremlinin”- u shpreh Balla mes të tjerash gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Ndërkohë jashtë Kuvendit ai mbajti një komunikim me gazetarët duke ofenduar protestuesit.
“Unë jam mësuar në këto 13 vite të qeverisjes sonë. Ne s’mund të zmbrapsemi se një grup mbeturinash sociale e politike mendojnë që parlamenti duhet të shpërndahet. Sot, edhe shqiptari më skeptik sa i përket pjesës që këtu është një skenar tërësisht jo shqiptar, në dëm të Shqipërisë, ky skenar nuk është surprizë. Për ne s’është surprizë, e kemi pritur, kemi kohë që e presim. Kush ka dyshime që brenda atij grupi atje, dhunon punonjësit e policisë. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Mbështes policinë e shtetit. Kushdo që ngre dorë, do të përballet me forcën e Policisë së Shtetit. Pse 28 ditë s’pati asnjë akt dhune dhe pjesëmarrja ishte më e madhe? PS, qeverisja e saj, pas pak ditësh do të vijë momenti kur do të ulet me protestuesit e vërtetë, ata që u ngritën për natyrën, për arrogancën e çdo punonjësi të administratës që ka zënë karrigen. Protestuesit e vërtetë sot ndahen qytetarët që mbushin bulevardin dhe një grup personash me precedentë penalë”, u shpreh Balla.