Arratiset nga “arresti i shtëpisë” Hasan Ferracaku,  i dyshuar si një nga autorët e masakrës së Velipojës

Hasan Ferracaku, një prej të dyshuarve në masakrën e ndodhur në Velipojë 5 vite më parë ku mbetën 4 të vrarë dhe dy të plagosur është arratisur nga banesa e tij në Shkodër.

Burime për mediat bëjnë me dije se Hasan Ferracaku ndodhej me masën “arrest shtëpie” dhe ishte në ruajtje 24 orë nga policia e Shkodrës, por pavarësisht kësaj ka arritur që të arratiset duke i shpëtuar ruajtjes policore dhe duke u larguar në drejtim të paditur.

Shtetasit Hasan Ferracaku pasi i kishin mbaruar afatet e paraburgimit si një prej të dyshuarve në vrasjen e ndodhur në Velipojë u la në “arrest shtëpie” nga gjykata por me mbikëqyrje 24 orë.

Ferracaku ishte në ruatje nga efektivët prej afro 3 vitesh dhe ka gjetur mënyrën që të arratiset për arsye që ende janë të paqarta.

Njoftimi i Policisë

Rreth orës 05:30 të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Guerrile”, shërbimet e Policisë të Njësisë së Sigurisë Publike Shkodër, gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e shtetasit Hasan Ferracaku, ndaj të cilit Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, në mbikëqyrje policore, pasi është në hetim për veprën penale “Vrasja me dashje”, kanë konstatuar se ky shtetas ishte larguar nga banesa.

Menjëherë pas konstatimit, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër, kanë organizuar kontrolle në banesa dhe në ambiente të tjera, në të cilat dyshohet se mund të jetë fshehur ky shtetas.

Grupi hetimor dhe AMP vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit. Ndërkohë, vijojnë kontrollet për gjetjen e tij.