Seanca plenare në Kuvend është karakterizuar nga debate të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, ku nuk kanë munguar edhe fyrjet mes deputetëve.
Fillimisht ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ai i cili ka quajtur “budallenj” dy deputetët e opozitës, Flamur Nokën dhe Albana Vokshin, pasi këta të fundit hodhën akuza mbi qeverinë për punësimet në administratë.
“Ju që keni probleme me “Aktivistin”, jam shumë krenar, do t’iu shtojmë dhe do t’iu mundim sa herë të na dilni para. Saliu ka mbaru punë, por fati i madh që pas tij Ju dy jeni personifikimi më kuptimplotë i budallait.( i drejtohet Vokshit dhe Flamur Nokës)”, tha Balla.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Gazment Bardhit, i cili nuk nguroi të fyejë kryeministrin Rama, duke u shprehur se ai është me kartelë dhe budalla, ndërsa ka kërkuar të merret masë disiplinore për Taulant Ballën.
“Ne e kemi kryeministrin me kartelë dhe budalla, por nuk ia kemi thënë asnjëherë, ndaj kërkoj masa për kreun e grupit parlamentar për gjuhën fyese ndaj dy deputeteve që i quajti budallenj. Unë thashë ne kemi kryebudalla për kryeministër dhe nuk ia kemi thënë. Nuk mundet askush të fyejë kolegët pa asnjë shkak. Ju kërkoj të merrni masa disiplinore për shkelje të etikës”, tha Bardhi.