Një ngjarje tragjike tronditi ditën e djeshme qytetin e Lushnjes ku pas një shpërthimi në një kapanon humbën jetën babë e bir dhe u plagosën 7 persona të tjerë, mes tyre deputeti i PS Bujar Çela.
Viktimat u identifikuan si Roland dhe Elidon Hoxha, të cilët ishin duke punuar në vinç duke ngritur dy bombula oksigjeni. Paraprakisht dyshohet se në momentin që vinçi ka prekur telat e tensionit të lartë ka shpërthyer një nga bombulat duke sjell edhe ngjarjen e rëndë. I riu Elidon Hoxha humbi jetën teksa po transportohej drejt spitalit të Traumës.
Edhe më tragjike ishte fakti se babë e bir vdiqën në ditën e parë të punës, siç kanë bërë të ditur familjarët.
Shpërthimi ishte tepër i fuqishëm duke shkaktuar edhe dëmtime në disa prej banesave dhe bizneseve përreth.
Dy prej të plagosurve u nisën drejt Traumës, mes tyre edhe deputeti Çela, i cili iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Krahas deputetit Çela, të plagosur mbetën Sokol Lumi, Sajmir Korreshi, Ilia Sota, Lunedi Golemi, Eriget Gorovelli dhe Ervis Sharka.
Ndërkohë në kapanonin që ndodhi shpërthimi kanë shkuar Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial, Njësia Antieksploziv, Prokurorja e Fierit, forca të Policisë Lushnje dhe inxhinierë të OSHEE-së teksa po kryhen hetimet për të zbuluar çdo detaj mbi dinamikën.
Ndërkohë ditën e djeshme në qytetin e Lushnjës shkoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili vizitoi të plagosurit në spitalin e Lushnjes ndërsa më vonë u ndal edhe në një deklaratë për gazetarët.
Shkaku i shpërthimit mbetet ende i paqartë por do të jenë hetimet që do do hedhin dritë mbi ngjarjen, që u mori jetën dy personave dhe la të plagosur shtatë të tjerë.