Ditën e djeshme SPAK dorëzoi urdhër arrestin në polici për ish ministrin Arben Ahmetaj dhe kërkoi informacion për vendndodhjen e tij.
Por megjithëse avokati i ish zv.kryeministrit pranoi disa ditë më parë se ai nuk ndodhet në territorin e Shqipërisë, policia ka nisur sot kërkimet në Shqipëri.
Mësohet se drejtoria e krimit ekonomik bëri sot disa kontrolle në banesat e Arben Ahmetajt për ta gjetur atë fizikisht. Gjithashtu policia kërkoi edhe në banesat e të afërmve të tij. Kërkimet do të vazhdojnë derisa policia të bindet se ish ministri nuk ndodhet në territorin e Shqipërisë.
Nëse policia i përgjigjet prokurorisë me të dhënat që tregojnë largimin e tij nga territori i Shqipërisë, prokuroria ka të drejtë ta shpallë në kërkim ndërkombëtar nëpërmjet Interpol Tiranës.
Partnerët e parë të cilëve do u dërgohet urdhri për lokalizimin e Ahmetajt, janë autoritetet e Britanisë, pasi avokatët e ish-zv kryeministrit kanë deklaruar se ndodhet pranë familjes në Londër.
Shqipëria dhe Anglia kanë marrëveshje ekstradimesh. Pak ditë më parë, Byroja Kombëtare e Hetimit kontrolloi 6 banesa dhe sekuestroi 6 pasuri në pronësi të Arben Ahmetajt dhe familjarëve, nga të cilat 4 banesa dhe 2 llogari bankare në vlerën e 124 mijë eurove.